Rudina Hajdari: Nuk bojkotojmë zgjedhjet, me ndihmën e Zotit demokratët do të na mbështesin
Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari është shprehur sot nga foltorja e Kuvendit se grupi i ri parlamentar nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet e 30 qershorit. Ajo shprehet se pavarësisht që koha nuk është në favorin e tyre, do të bëjnë të pamundurën që demokratët mos kenë vend bosh në këto zgjedhje. Ajo ftoi çdo demokrat që të përkrahë opozitën e re për të ndryshuar sipas saj këtë sistem të kalbur zgjedhor. “Unë do kërkoja që demokratët sot jashtë këtij Parlamenti ta shohin si një ofertë dhe alternativë e tyre për përfaqësim në Parlament. Ne si grup nuk jemi dakord për bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ne nuk duam në asnjë lloj mënyre ta bojkotojmë zgjedhjen. Unë e shikoj që koha nuk është në favorin tonë por ne do përpiqemi në çdo mënyrë që demokratëve mos u lëmë një vend bosh në këto zgjedhje. Ftoj çdo lloj partie opozitare ta rishikojnë vendimin e tyre për të bojkotuar, ky nuk është një mjet demokratik. Kështu që e konsideroj të rëndësishme që ne të përgatitemi dhe të marrim çdo lloj mase të mundshme. Së fundmi ftoj çdo lloj demokrati të na përkrahë në këtë iniciativë që ne të mundohemi të shpalosim alternativën tonë, të hapim rrugën për një garë reale në këtë Parlament. Kam bindjen e plotë se me ndihëm e zotit dhe mbështetjen e demokratëve që janë të zhgënjyer nga vendimi i Partisë Demokratike do na mbështesin”.