Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Partia e re e Rudinës, një llokum me arra për pashain Rama

Nga historia e kuvendeve ky është më surrogati për faktin e kurorëzimit të një ish ministri të brendshëm nga diktatura si kryetar. Pas kaq vitesh demokraci tashmë shqiptarët kanë të drejtën legjitime të legalizojnë plotësisht ikjen dhe frazën se ky vend nuk bëhet më. Eshtë nga kuvendet më të diskretituara për shkak të pushtetizimit të krimit, pra për bërjen legjitim të elementit kriminal deri në onirifikim me mandatin e të të nderuarit të popullit. Shqiptarët e menduan demokracinë si liri dhe veprim të ligjit me dëshirën për të patur vendin në aradhën e atyre që sot janë esnafi i globit, një vend si ato ku nuk diskutohet më papunësia, mirëqenia, lufta e klasave, lëvizja e lirë, por u gabuan. Kësisoj djegia e mandateve ishte nisma e duhur për të vetmen arsye, një lloj kurbani politik karshi elektoratit të djathtë dhe atyre që mëdyshen ose pa parti. I duhej dhënë popullit një provë besueshmërie dhe ndërgjegjësimi qoftë edhe për gabimet me shumicë. Asaj a kësaj vale njerëzore e cila një herë në 8 vjet mbush kandarin e qeverisjes. Ka qënë një nga kuvendet që bindi edhe më skeptikët se komunizmi tashmë po ringjallet madje me emrin dhe financat e demokracisë, me pjesëmarrje në të dy krahët duke mbajtur vendin në një luftë nervash dhe politikë konfliktuale. Sot nga ky kuvend madje nga zyrat e ish ministrit të brendshëm rishfaqet një tjetër parti. Për ironi të fatit demokrat nga vajza e një demokrati rrace i shpallur si dëshmor i demokracisë. Ky është rasti i tretë ( së pari Pollo me PDR në 2009, së dyti ish presidenti Bamir Topi me Fryma e re demokratike 2012) që një parti tjetër del nga gjiri i demokratëve. Kjo duhet të jetë edhe partia e 128 a 129, e shqiptareve, numrin e saktë duhet ta gjeni në gjykatën e Tiranës, kurse për atë se sa prej tyre kanë aktivitet referohuni KQZ, por që gjithsesi në raport me numrin e popullsisë na bën padiskutim gazin e botës. Çfarë në fakt është kjo parti e Rudinës, është plotësisht produkt i papjekurisë së një individi që mendon se ka kapacitetin e duhur duke parë raportet e acarta midis kancelarive të europës dhe opozitarizmit. Një parti që në raport me kohën nuk do ketë asgjë tjetër veç përbashkësisë me pollot, topët a blushët nga krahu tjetër. E para, sado që Rudina të përmisoj artikulimin nuk arriti të kuptoj se suportin më të madh dhe stadi ku ndodhet, e ka patur nga demokratët. Vetëm për demokratët Azemi është hero, për krahun tjetër, rebel, mafioz, vrasës e gjithçka. Shqiptarët në përgjithësi nuk janë të ngrohtë me raste të tilla. Vetëm demokratët i kanë toleruar gjithçka, madje edhe rastin Rudina në listat e Bashës, megjithëse plot djem të kualifikuar dhe me background të pastër prisnin në radhë. Ndofta kjo zgjedhje ashtu si me çunin e Fahriut apo ndonjë tjetri, ishin nënqeshjet e hidhta që i dhanë Bashës dhe demokratëve rezultatet më skandaloze. Dhe koha e vërtetoi plotësisht…
E dyta që përbën dhe thelbin e situatës me produkte të tillë, është fakti se Rudina ka zgjedhur kohën e gabuar, vendin e gabuar me pretendimin se po sjell bindjen demokrate si një forcë që do rrëzoj Edi Ramën. Sot Edi Rama është bindshëm më i fortë se kurrë pikërisht për shkak të fuqisë financiare të karteleve dhe oligarkëve që po i imponohen deri vendeve me demokraci të konsoliduar. Brishtësia e Rudinës është një llokum me arra për pashain ballkanas, pashain e vendit të copëtuar prej esnafit të tij. Edhe sikur në krye të herës ta kishte shpallur partinë e saj, pasi kishte plot raste, si listat e republikës së re, ngrirja apo shkrirja e Lulit kur rizgjodhi veten kryetar etj. Atëherë Rudina çuditërisht nuk i shikonte këto defekte, këto mangësi dhe padrejtësi njëherësh. Sikur në krye pra, prapë nuk do të bënte asgjë tjetër veç do hante ca vota brenda demokratëve pikërisht për shkak të dyzimit që kanë masat. Për shkak se suporti karshi saj është gjaku demokrat dhe aq. Dhe falë këtyre protestave sado masive, por që Luli po i mban nën petkun e kostumit të hekurosur. Sikur i vjen keq që ngjyhet me bojë kryeministria etj. Prapë askundi nuk shkon, veçse çon ujë me shumicë tek zyra e Edi Ramës, Gramozit dhe të tjerëve që na mundën si popull dikur, e po na mundin edhe sot. Megjithatë bën mirë, sepse ndofta ky holandezi ynë kujtohet e bëhet shqiptar në protestën e radhës. Nga ata që të shkundin vërtetë. Por një gjë po ta them Rudina. E tha dikur Dritëro Agolli se, në Shqipëri edhe për nja pesëdhjetë vjet dy janë forcat. E do dominojnë…të tjerat nuk janë asgjë tjetër veç ato topet që u varen burrave nëpër shalë.

Please follow and like us: