Zv. ambasadorja e SHBA mbështet policinë: Punë mbresëlënëse kundër terrorizmit!
Lufta kundër terrorismit ka qenë tema e seminarit zhvilluar mëngjesin e së enjtes, me prani të të ngarkuarës me punë, Leyla Moses-Ones dhe drejtori i Përgjithshëm i Policië së Shtetit Ardit Veliu. Duke folur shqip, e ngarkuar me punë ka përgëzuar punën e bërë nga uniformat blu, por edhe institucioneve të tjera shqiptare në luftën kundër terrorizmit, duke theksuar se asnjë shtet nuk është imun nga ky rrezik. Ajo ka sjellë në vëmendje edhe arrestimin djeshëm të Bledar Ibrahimi nga qyteti i Elbasanit, si një tregues që flet për një punë cilësore nga ana e policisë. “Dua të vlerësoj përpjekjet e policisë gjatë vitit të kaluar. Keni treguar profesionalizëm për të mbrojtur qytetarët. Dëshiroj t’ju nxis që të vazhdoni në atë drejtim. Është një kohë e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe sigurinë rajonale. SHBA mbeten të fokusuara në nxitjen e sigurisë rajonale dhe një nga mjetet kryesore është ndihma në sundimin e ligjit. Gjatë 8 muajve të fundit janë kryer 5 kurse trajnimi kundër terrorizmit. Institucionet shqiptare kanë bërë një punë mbresëlënëse gjatë 2 viteve të fundit në ndërtimin e kapaciteteve për të luftuar terrorizmin. Kohët e fundit policia arrestoi një individ të lidhur me terrorizmin. Më lejoni ta mbyll duke falënderuar Ardi Veliun dhe policinë e shtetit për luftën kundër terrorizmit. Policia e Shtetit në Shqipëri vazhdon të ndërtojë një emër si një nga organizatat e policisë më të mira në Evropë”, deklaroi Leyla Moses-Ones. Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Veliu tha se është bërë një punë e mirë në këtë drejtim, duke nisur që nga mbyllja e profileve që kishin përmbajtje dhe thirrje terroriste. Ai bëri thirrje prindërve që të bashkëpunojnë me policinë, nëse kanë dyshime që fëmija e tyre ndjek faqe me përmbajtje terroriste.