“Billboard” vlerëson artistet shqiptare
Këngëtaret me origjinë shqiptare kanë pasur goxha sukses vitet e fundit në skenën muzikore botërore dhe revista amerikane “Billboard” u dedikoi një artikull, duke theksuar talentin e artisteve shqiptare. “Në dhjetor 2018, Bebe Rexha postoi një foto së bashku me Dua Lipën, me përshkrimin: “Dy shqiptare të nominuara për “Grammy”. Për të gjitha vajzat shqiptare dhe të gjitha vajzat anekënd botës, gjithçka është e mundur, ndaj mos hiqni kurrë dorë nga ëndrrat tuaja”. Një muaj më vonë, sërish Rexha kërkoi një bashkëpunim kuqezi edhe me Rita Orën e Ava Max”, -shkruan “Billboard”.
Një tjetër emër që ngre lart talentin shqiptar është Njomza, një bashkautore e hiteve të Ariana Grandes, “Thank U, Next” dhe “7 Rings”. E lindur në Gjermani dhe e rritur në Chicago, ajo thotë se tranzicioni i Shqipërisë nga komunizmi në demokraci në vitet ’90 ka ndezur kreativitetin e gjeneratës së saj.
“Nëse ka diçka që po na shtyn përpara është ambicia që kemi si komb. Vullneti për të krijuar një jetë më të mirë”, -ka thënë Njomza.