Ruben Avxhiu: Me Joe Biden bëhen 21!
Ish-zëvendës-presidenti shpall më në fund të mërkurën kandidaturën për president – po gara brenda Partisë Demokrate është stërmbushur tashmë me kandidatë
Nga Ruben Avxhiu
Joe Biden pritet të shpallë kandidaturën e tij, këtë të mërkurë.
Asnjë kandidat nuk është pritur më kaq shumë kuriozitet sesa ish-presidenti 76-vjeçar që nëse fiton do të bëhet presidenti më i vjetër në moshë, në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për nga përvoja në fushën ndërkombëtare ai nuk ka rivalë. Për nga njohja e proceseve legjislative, ai ka shërbyer si Senator nga 1972 në 2008. Për president ka kandiduar disa herë. Për nga mënyra e çlirët e të komunikuarit me njerëzit shihet si shumë më efikas se Donald Trump. Po ashtu edhe nga aftësia për t’u lidhur me pjesën që thuhet se është larguar më shumë nga Partia Demokrate, ajo e klasës punëtore të racës së bardhë.
Joe Biden mund të jetë njeriu që mund t’u kthejë Shtëpinë e Bardhë Demokratëve, po ndërkohë që po pritet kandidatura e tij, shumë pyetje janë në ajër e presin përgjigje. Po i diskutoj më poshtë disa prej tyre.
1) A është Joe Biden shumë i moshuar për këtë garë dhe detyrën e Presidentit?
Në nëntorin e vitit 2020, kur të mbahen zgjedhjet, ai do të jetë 78 vjeç dhe kur të dorëzojë pushtetin, pas mandatit të tij të parë presidencial, 82 vjeç e dy muaj. Është e vërtetë se amerikanët po punojnë në moshë gjithnjë e më të madhe, po a nuk duket pas si e tepruar lënia e fateve të vendit në dorë të një njeriu në moshë kaq të shkuar?
Biden është i zoti, pa demokratët kanë kaq shumë figura në moshë shumë më të re që mund të jenë më në gjendje të përballojnë punën tmerrësisht stresuese të udhëheqësit të botës së lirë.
2) A është Partia Demokrate më ajo e figurave si Joe Biden?
Një argument mund të bëhet që Partia Demokrate është shumë më e majtë, më e re, më e fiksuar pas larmisë racore e gjinore, më e prirur drejt përmbysjeve masive, etj sesa ajo që prodhoi figura si Joe Biden.
Ndonëse ish-zëvendës-presidenti gëzon respekt e dashuri të madhe, ajo është më shumë ndjenja ndaj një xhaxhai të këndshëm e me të kaluar të pasur, që huqet i merren me humor e teprimet i falen me zemërgjerësi, po e gjitha kjo bazohet në bindjen se ai i përket një bote që tashmë iku, e që me praninë e tij nuk pengon ardhjen e botës së re.
Ashtu si në rastin me Hillary Clinton, në 2016, një brez i ri demokratësh shumë më majtistë, që nuk kanë pasur përvojë e kujtesë për rrethanat e të kaluarës, nuk ua falin udhëheqësve të vjetër demokratë vonesat e tyre në ndryshimin e pikëpamjeve, deklaratat dhe veprimet politike të dikurshme. Ashtu si dikur të rinjë injorantë në Shqipërinë komuniste denonconin rilindasit për mungesë botëkuptimi klasor, bashkëmoshatarët e tyre të sotëm amerikanë shokohen që Demokratë të njohur mund të kenë thënë e bërë gjëra që kanë qenë normale në rrethanat kur kanë jetuar ata.
Nëse kandidon, Joe Biden do të vihet vazhdimisht përballë akuzave si ato për përqafime e prekje të grave pa dëshirën e tyre, si në dhjetëra fotografi e filmime, që gjykojnë veprimet e një të moshuari që vjen nga një epokë tjetër, në realitetin puritan të të majtës së sotme amerikane. Biden ka nxituar të bëjë një apologji me video, duke premtuar se do të jetë më i kujdesshëm dhe më mirëkuptues me gratë dhe vajzat. Ishte domethënëse që mesazhi u quajt i pamjaftueshëm nga aktivistë të majtë dhe si një lloj tradhëtie nga shumë vëzhgues të pavarur që panë aty një Joe Biden tjetër, dikë që flet bazuar në një tekst të parapërgatitur, pikërisht ajo që pritet të mos bëjë një kandidat si ai.
Kjo është simbolike se Biden mund të humbasë mbështetjen e vjetër pa fituar mbështetjen e re.
3) Një mal me kandidatë? Si do të dalë në krye Biden?
Bashkë me Joe Biden bëhen 21 kandidatë nga Partia Demokrate.
Ja lisa e çmendur e partisë së ngjyrës blue në SHBA:
Cory Booker, Senator i SHBA-së nga New Jersey, Pete Buttigieg kryetar bashkie South Bend, Indiana, Julián Castro, ish-Sekretar për Strehimin dhe Zhvillimin Urban, John Delaney, kongresist nga Maryland, Tulsi Gabbard, kongresiste nga Hawaii, Kirsten Gillibrand, Senatore e SHBA-së nga New York, Mike Gravel, ish-Senator nga Alaska (88 vjeç!), Kamala Harris, Senatore e SHBA-së nga California, John Hickenlooper, Guvernator në Colorado, Jay Inslee Governor i shtetit Washington, Amy Klobuchar, Senatore e SHBA-së nga Minnesota, Wayne Messam, kryetar bashkie South Bay, Florida, Seth Moulton kongresist nga Salem, Massachusetts, Beto O’Rourke, ish-kandidat për Senator nga Texas, Tim Ryan kongresist nga Ohio, Bernie Sanders, Senator i SHBA-së nga Vermonti, Eric Swalwell, kongresist nga California, Elizabeth Warren, Senatore e SHBA-së nga Massachusetts, Marianne Williamson, autore librash, aktiviste nga California dhe Andrew Yang sipërmarrës.
Detyra e parë e Komitetit Kombëtar Demokrat do të jetë të shkurtojë listën. Kjo turmë kandidatësh nëse nuk nxjerr një fitues të qartë dhe bindës që të mos lërë vend për dyshime dhe që të arrijë të bashkojë partinë, ajo mund t’i japë fitoren e dytë Presidentit Donald Trump.
Biden mund të bëhet figurë bashkuese, po kjo pamje e parë e betejës paraprake nuk është ogur i mirë.
I vetmi ngushëllim nga pikëpamja e Joe Biden mund të jetë senjë garë e vështirë dhe e gjatë mund të jetë prova për aftësitë fizike dhe mendore të “plakut” të Demokratëve për të shërbyer si President në Shtëpinë e Bardhë.
4) Mos u vonua më shumë se sa duhet në shpalljen e kandidaturës?
A ka pritur shumë për të hyrë në garë Joe Biden? Disa strategjistë mendojnë se vonesa e tij ka qenë e pajustifikueshme. Ka disa muaj që thotë se do të kandidojë dhe nuk e ka bërë. Ndërkohë vonesa e tij u ka dhënë zemër shumë kandidatëve për të hyrë në garë e që nuk do ta kishin bërë nëse do ta kishin të sigurtë që Biden do të kandidonte.
Mbështetësit e ish-zëvendës-presidentit mendojnë Joe Biden është kaq shumë i njohur dhe kaq figurë e madhe mes Demokratëve saqë vonesa e tij nuk dëmton shanset e garës. Po vonesa mund ta ketë dëmtuar në përgatitjet në terren në shtete ku bëhen betejat e para, dhe ku shumë kandidatura të mëdha rrezikojnë rrëzimin.
Disa strategjistë në Iowa janë shprehur se interesi më i madh është për kandidatët e moshës së re, kurse në New Hampshire, shteti i dytë, ku Biden mund të gjejë mbështetësit e tij të natyrshëm, ai do të hasë rivalitetin e fortë të Bernie Sanders dhe Elizabesh Warren, Senatorë nga shteti fqinj i Massachusetts-it që kanë ndërtuar prej kohësh aty një rrjet operatorësh të fushatës.
Numri i drejtuesve dhe ligjvënësve demokratë që mund të deklarohen në favor të tij si dhe shumat e fondeve që do të mbledhë në ditët dhe javët e para mund të jenë treguesit kryesorë nëse Biden ka bërë mirë ose jo që u vonua për futjen në garë, po edhe e shanseve të tij reale për të fituar.
Në 2016, ai ngurroi gjatë për t’u futur në garë. Vonesa shërbeu për të çimentuar ish-Sekretaren e Shtetit si fituese të sigurtë. Edhe dy muaj para zgjedhjeve, kur Demokratët e kishin zgjedhur kandidaten e tyre qysh në verë, në 11 shtator 2016, kur Clinton pësoi një marrje mendësh gjatë ceremonisë përkujtimore të viktimave të sulmeve terroriste, Biden u shpreh i gatshëm për të kërcyer në garë po të ishte nevoja. Kjo gatishmëri e tij shpesh i nervozonte strategjistët demokratë që donin bashkim pa mëdyshje përballë kandidatit Donald Trump. Madje thuhej se vetëm ndërhyrja e Presidentit Obama kishte siguruar që Biden të mos hynte gjithësesi në garë për të çoroditur gjithshka.
Biden ka mbetur i bindur se vetëm ai mund ta kishte mundur presidentin e sotëm. Kjo mundësi mund t’i jepet për në 2020, po jo pa një betejë cfilitëse dhe pa mëshirë. Përpara se të arrijnë te Donald Trump, demokratët do të shqyen drejt një porte nga ku mund të dalë një kandidat i vetëm. Biden gëzon respekt e dashuri mes demokratëve, po nëse pret t’i shtrojnë qilimin e kuq do të zhgënjehet shpejt. Tringëllimat që mbase po dëgjon nuk janë lugë e pirunj që po vendosen në tavolinat e gostisë së fitores, po thika që por mprehen nga kolegët kundërshtarë që nuk do të hapin rrugën për askënd. Aq më pak për dikë që besojnë se duhej të kishte ndenjur mënjanë për të shijuar pensionin e t’i vizitonte vetëm nganjëherë, si një xhaxha i mirë e gazmor, koha e të cilit sado e bukur, ka ikur e nuk vjen më.