Struan Stevenson: Donald Trump i shtrëngon rripat regjimit iranian
Vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për t’i anuluar lehtësimet e përkohshme që ua kanë mundësuar disa vendeve të vazhdojnë të blejnë naftë iraniane pa shkelur sanksionet amerikane është goditja fatale për mullahët, shkroi të enjten ish-ligjvënësi europian Struan Stevenson për United Press International.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka shpjeguar se ky vendim është marrë për ta “privuar regjimin e paligjshëm nga fondet që ka përdorur për të destabilizuar Lindjen e Mesme”.
Javën e shkuar, Shtetet e Bashkuara shpallën gjithashtu se e kishin shtuar Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të regjimit iranian në listën e organizatave të huaja terroriste. IRGC kontrollon pothuajse 90 për qind të ekonomisë iraniane, kështu që do të jetë virtualisht e pamundur për këdo që të bëjë tregti me Iranin pa shkelur sanksionet amerikane apo pa u përballur me penalitete të rënda për bashkëpunim me një organizatë të listuar terroriste, shkruan Stevenson.
Stevenson vuri në dukje se iranianëve u ka ardhur në majë të hundës represioni dhe brutaliteti që janë detyruar të vuajnë për katër dekada nën diktaturën fashiste mesjetare. Ata e kanë parë se si mullahët pleq, mjekroshë e misogjinistë e kanë pasuruar veten përmes korrupsionit duke sponsorizuar ndërkohë terrorizmin ndërkombëtar dhe luftërat proksi.
Stevenson shkruan: “Mullahët u janë përgjigjur protestave duke dërguar IRGC-në, ekuivalentin e tyre të Gestapos, për të arrestuar mijëra demonstrues, të cilët dënohen me burgime të gjata. Disa prej tyre janë torturuar deri në vdekje”.
“Rreth 80 milion iranianë e kanë humbur frikën. Ata e kanë parë se si politika e paqësimit e administratës Obama dhe aleatëve të tij të BE-së i është dorëzuar koshave të plehrave të historisë. Ata janë të etur për lirinë, drejtësinë, të drejtat e njeriut, të drejtat e grave, heqjen e dënimit me vdekje, marrjen fund të kërcënimit bërthamor dhe restaurimin e një demokracie laike që po ofrohen nga lëvizja kryesore dhe më e organizuar e rezistencës, Mojahedin e-Khalq (MEK) dhe udhëheqësja e opozitës, Maryam Rajavi”.
“Njësitë e rezistencës së MEK janë tashmë aktive në çdo qytet të madh apo të vogël të Iranit, duke planifikuar e nxitur protestat nëpër rrugë dhe duke shfaqur gjithnjë e më shpesh postera të Rajavi-t dhe grafiti në mbështetje të MEK, duke vënë në rrezik të madh jetët e tyre. Popullsia iraniane tani e kupton se ka mbështetje në Perëndim. Njerëzit e dinë se administrata amerikane do të vazhdojë të ushtrojë presion derisa ky regjim i lig të zëvendësohet dhe paqja e stabiliteti në Lindjen e Mesme e në mbarë botën të mund të rikthehen”, shkruan Stevenson.
Struan Stevenson ka shërbyer si anëtar i Parlamentit Europian ku ka përfaqësuar Skocinë (1999-2014), dhe si president i Delegacionit të Parlamentit për Marrëdhëniet me Irakun (2009-14). Ai është lektor ndërkombëtar mbi Lindjen e Mesme dhe president i Shoqatës Europiane për Lirinë e Irakut.