Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Tellalli i shtypësve e cinik ndaj të shtypurve

Ka 7-8 muaj që kohë pas kohe shtypi i përditshëm (si zakonisht tellall i shtypësve e cinik ndaj të shtypurve), me shkronja korsive (për të theksuar të zezën), përsërit refrenin tragjikomik: ‘’Gati dëmshpërblimi i këstit të tretë për 1500, 3500, 4500… trashëgimtarë të ish të përndjekurve politikë’’. Pastaj vijojnë emra e emra, kushedi sa herë të përsëritur brenda së njëjtës listë.
Ka 7-8 muaj e në vazhdim. Aty pranë kioskave ku gazetashitësit i bëjnë ysmet biznesit, sheh të afrohen ca të moshuar të mjerë që kërkojnë me syze emrat midis ‘’të shtypurve’’ fatlumë të listave. Vijnë e ikin, lexojnë e rilexojnë, psherëtijnë e diç pëshpërisin ashtu me zë të ulët, pastaj largohen kokulur. Ecin qetë-qetë. Nuk u ndihet frymëmarrja, veç një ‘’tak-tak… tak-tak’’ rënkues, troku i bastunëve të tyre mbi trotuar. Helbete, kanë kujtime, halle, emocione! Eh, kushedi!… ndofta mallëngjehen nga humanizmi shtetëror, u rrëmbushet krejt qenia me grimca lumturie demokratike.
Disa kurreshtarë pyesin nëse ka marrë ndonjëri lekë nga këto lista. Jo, deri tani askush s’ka marrë, por ama lekët janë gati. Ja, gazetat nuk reshtin së përsërituri: ‘’Ja lista, është gati…gati dëmshpërplimi i këstit të tretë për 1500, 3500, 4000… trashëgimtarë’’. ‘’Të shtypurit’’ nëpër lista e njohin me vakt ç’do të thotë ‘’gjendje gatishmërie’’. Eh, kështu qenka e thënë! Kushedi në ç’hall ka rënë qeveria tani në prag zgjedhjesh?! Por, ashtu si dikur, kjo duhet përjetuar si akt sublim vigjilence, bindjeje e sakrifice; njerëzit në të tilla situata duhet të ndiejnë thellë-thellë impulse krenarie dhe (atje qoftë!) patriotizmi.
‘’Dang… dang… dang!… Deri kur kështu, ma?’’,- do të thoshte Migjeni.

Please follow and like us: