Veseli mohon se është ftuar nga Gjykata e Hagës
Prishtinë, 3 maj 2019 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar nga disa medie se ai ka udhëtuar për në Hagë, për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e Zyrës së Prokurorisë Speciale.
“Nuk kam ftesë dhe nuk jam duke shkuar në Hagë, as për vizitë dhe as për Gjykatën Speciale. Nuk është e vërtetë që kam ftesë për ndonjë intervistë. Po të kisha do ta bëja njoftimin publik. Nuk është marre, as kiamet. Më vjen keq në qoftëse dikush është shqetësuar për këtë lajm, por më vjen keq edhe për ata që i janë gëzuar këtij lajmi. E kam thënë edhe më parë se askush nuk më frikëson. Vetëm kombi im mund të më gjunjëzojë apo përkrahë”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Veseli e ka publikuar këtë status pas raportimit të Gazetës Express se ai ka udhëtuar për në Hagë, si i ftuar i Zyrës së Prokurorisë Speciale. Por, ai nuk ka treguar nëse ka udhëtuar dhe, nëse po, ku dhe për çka ka shkuar.
Kryeredaktori i Gazetës Express, Leonard Kërçuki, shkruan se kryeparlamentari Veseli e ka marrë në të telefon dhe i ka folur me një gjuhë që ai e ka quajtur “të papërshtatshme”.
Kërçuki ka thënë se gjatë karrierës së tij si gazetar ka marrë qindra reagime e telefonata, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë kaq e rëndë sa kjo e kryeparlamentarit Veseli.