Borana Tartari: Shteti shqiptar nuk na ka ndihmuar që të promovohemi
Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, kandidatja për zgjedhjet lokale në Itali, Borana Tartari, tregon arsyet e këtij kandidimi. Tartari shpjegon faktin se komuniteti lokal në Itali funksionon akoma në bazë të grupimeve të vogla territoriale
Erjon Dervishi
Zgjedhjet lokale në Itali do të mbahen në 26 Maj, në të njëjtën ditë me zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Në Itali jeton dhe punon një komunitet shumë i rëndësishëm shqiptarësh, të cila kanë dhënë kontributin e tyre për vendin ku jetojnë. Ata duan që të njihen edhe në politikë. Pjesëmarrja e tyre në aktivitet politike është një e drejtë legjitime, por që në shtetin Italian vetëm dy vitet e fundit po arrin të implementohet. Një nga këto është edhe Borana Tartari. Ajo është kandidate për në zgjedhjet lokale në komunën e Bergamos. Theksojmë se Italia ndahet në disa rajone, një nga këta është edhe Rajoni i Bergamos. Në këtë qytet jeton dhe zhvillon aktivitetin e tyre të përditshëm një numër i konsiderueshëm shqiptarësh. Borana Tartari flet për gazetën “Shekulli”. Ajo tregon arsyet se pse e ka marrë këtë vendim tani për të kandiduar. Por ajo që është më shqetësuese për të, është fakti i neglizhencës së shtetit shqiptar. Ajo kërkon që puna dhe veprimtaria e tyre në Itali, apo edhe kudo ku jetojnë shqiptarë, të njihet dhe të vlerësohet. Edhe pse në Shqipëri janë organizuar për disa vite samite apo takime me rrjetin e diasporës shqiptare, përsëri asgjë nuk ka ndryshuar. Diaspora shqiptare nuk ka mundur të gjejë hapësire për të investuar në Shqipëri, nuk ka mundur të gjejë hapësire për të ushtruar aktivitetin e saj në vendin e origjinës. Borana Tartari garon për Partinë Demokratike të Matteo Salvini, e cila është pjesë edhe Parlamentit Evropian.
Intervista e plotë:
Znj. Tartari, çfarë do të thotë për një politikane me origjine shqiptare pjesëmarrja në zgjedhjet për Bashkinë e Bergamos?
Në këtë moment kaq delikat mendimi që ne jemi përfaqësuesit më të rinj të një force politike kaq të rëndësishme, siç është PD, tregon haptazi nevojën për inovacion dhe integrim dhe nga ana tjetër për ne qytetarët e gjeneratës së dytë të emigrantëve ky është një detyrim i rëndësishëm drejt komunitetit tonë.
Besoni se forca juaj politike do të ketë mundësinë për të qenë pjesë e Parlamentit Evropian?
Patjetër që po, PD vazhdon të mbetet një nga forcat më të rëndësishme politike në Itali, jo vetëm kaq, por ka qenë një nga partitë promotorë të shumë reformave të rëndësishme të kërkuara nga Euroja, si Job Acts, Ligji i Stabilitetit, Spending Revieë etj.
Për sa i përket situatës në Itali, si është duke funksionuar komuniteti shqiptar atje?
Komuniteti shqiptar në Itali funksionon akoma në bazë të grupimeve të vogla territoriale, të përfaqësuara nga shoqata të ndryshme, që nuk kanë akoma një forcë aq të rëndësishme, krahasuar me zhvillimin aktual ekonomik dhe social të komunitetit shqiptar. Le të themi nuk është formëzuar akoma mentaliteti që bashkimi bën fuqinë.
A ka një bashkëpunim midis tyre dhe si e shikoni Politiken e Jashtme Shqiptare?
Ne edhe sot vazhdojmë të shohim njëri-tjetrin me paragjykimin që me siguri duan të bashkëpunojnë sepse do përfitojnë diçka nga ne. Jemi akoma në kushtet që përcjellim negativitetin e politikës tonë të brendshme shqiptare edhe jashtë kufijve. Sot akoma nuk ka një njohje reale nga ana e përfaqësive tona të punës reale, të përditshme dhe të shtrirjes territoriale të shoqatave të ndryshme, janë këto shoqata me një shtrirje virtuale, dhe pa anëtarësim real që marrin ftesa dhe janë pjesë aktivitetesh, apo promovimesh konsullore duke lënë jashtë një pjesë të mirë të komunitetit, që punon, përfaqëson denjësisht Shqipërinë, por nuk i jepet mundësia të promovohet nga shteti ynë. Nëse politika jonë e jashtme do funksiononte, do kishte numrat e mjaftueshëm për të qenë faktor imponues edhe në politikën migruese në Itali, apo në vende të tjera. Le të kujtojmë që në Itali janë rreth 40 mijë firma shqiptare dhe me numra të tillë nuk mund të mos bësh diferencën si komunitet.
E fundit ka të bëjë me rritjen e populizmit dhe rrezikun e saj. Mendoni se kjo do të ndikojë në procesin e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor?
Në kushtet kur politika kthehet në pronë të një individi edhe populizmi merr forcë, por nuk besoj se këto lëvizje janë në gjendje të çojnë përpara programet e tyre në pikën që të jenë fondamentale në politikat e jashtme të shteteve përkatëse, aq sa të ndalojnë një proces aq të rëndësishëm siç është ai i një Evrope të madhe me integrimin në të të Rajonit të Ballkanit./gazeta shekulli/