Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Pse në 11 Maj 2019 dhe pse përkrah Bashës?

Fotografia e Albina Deda Gjoci

 

Jemi vetëm pak orë larg 11 majit, një moment që mund të shënohet në historinë e rizgjimit të reagimit dhe revoltës qytetare në vendin tonë. Ndodhemi të gjithë bashkë në një moment shumë të veçantë ku Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare në Shqipëri me djegien e mandateve po ribëjnë historinë e demokracisë sonë. Vërtet nuk është më viti 1990 apo 1991, por shpirti ngadhënjyes dhe rrebel i së drejtës dhe demokracisë është po i njëjti. Sfidat ku kalon vendi janë ekstreme. Gremina që na pret përpara, nëse kthehemi pas në këtë moment, është pa fund. Kryeministri në ikje, dordoleci i kancelarive botërore, intriganti i veshur me kostumin sorosian të tradhëtisë etnike pret grushtin vendimtar të qytetarëve që janë betuar tashmë ta dërgojnë në skutat më të errëta të memories kombëtare.
Përfundimisht me Edi Ramën Kryeministër kurrë nuk do të kemi Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë funksionale, gjykatat e nivelit të dytë dhe të të parë janë nën një presion konstant bashkëpunimi dhe bindjeje me qeverinë për shkak të komisioneve të vettingut që janë mbushur me të besuarit e Edi Ramës dhe shërbëtorëve të tij në sistemin e zinxhirin ekzekutiv dhe administrativ të vendit. Policia e Shtetit është shndërruar në mjet represioni dhe shtypjeje ndaj protestuesve dhe deputetëve të opozitës që kërkojnë largimin e të keqes dhe rikthimin e demokracisë, ashtu siç e njeh standarti i BE-së ku duam të integrohemi. Pra, për popullin dhe për njerëzit e përgjegjshëm, për ata që e kuptojnë demokracinë dhe e dinë se si funksionon sistemi, nuk ka më asnjë autoritet të mbetur në këmbë nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, ndërsa ekziston vetëm një njeri, Edi Rama që ka grumbulluar pushtet absolut në këtë skizmë apo çarje të madhe të sistemit në vend.

Ndaj edhe pyetja kryesore që ngrihet është se kush është autoriteti që duhet të njohin njerëzit e thjeshtë, në mungesë të të gjitha këtyre autoriteteve që përmenda? Ku duhet të ankohet ai fermeri qe ende nuk ka marrë dëmshpërblimin? Ku duhet të ankohet pronari se i kanë rrëmbyer pronën? Ku duhet të ankohen banorët e ‘Unazës së Re’ për atë çfarë gjithë opinion publik ka parë, ka dëgjuar dhe di mbi makutërinë e Ramës? Ku duhet të ankohet qytetari që nuk shkon dot për të marrë drejtësi… e kështu me radhë qindra pyetje që mbeten në thelb pa përgjigje.

Sot nuk ka një autoritet tjetër ku njerëzit të drejtohen dhe të besojnë. Kryeministri është bërë qesharak duke promovuar platformën e bashkëqeverisjes që është vetëm një iluzion dhe mashtrim i madh, sepse me miliona frymë ende të mbetura në vend dhe nuk mund t’u përgjigjet një mekanizëm shtetëror që nuk i funksionojnë mekanizmat dhe gjymtyrët. Autoriteti i shtetit ka vdekur, kaosi po mbizotëron në prag të një përplasjeje të madhe civile, ndërsa gjithçka, po gjithçka e arsyeshme nuk mund të frenojë ndjenjën e thellë të përçarjes kombëtare që u nxit dhe u ideua nga Edi Rama për interes të mbajtjes së pushtetit personal dhe planeve për të mos u ndëshkuar për veprimet dhe abuzimet e tij. Përrallat me burg, SPAK, BH apo reformën në drejtësi nuk gënjejnë dhe as trembin më askënd.

Zhgënjimi është i madh dhe dëshpërimi edhe më i madh, ndaj duhet të kuptohet se i vetmi shans në këtë katrahurë të dirigjuar nga Rama është besimi tek një autoritet më i lartë, më të paparashikuar, më të pandotur dhe më të vërtetë e premtues. Është i vetmi autoritet që mund të vendosë rregull në këtë kaos institucional, moral, kushtetues, ligjor apo çfarëdoqoftë.

Qytetarët duhen të besojnë Lulzim Bashëm, si të vetmin autoritet që mund të rikthejë vendin në shinat e normalitetit dhe demokracisë funksionale. Basha është e vetmja zgjidhje reale, i vetëm në lojën e shahut të pushtetit alternativ ku media, analistët, opinionin publik, ndërkombëtarët dhe shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër veçse besimit tek ky autoritet më i lartë. Ky është një shans dhe një moment historik; qytetarët e kanë kuptuar dhe do të jenë në këmbë në 11 maj, për orë, për ditë e ditë të tëra papushim po të nevojitet deri në ditën kur opozita të rivendosë kushtet normale për një zgjidhje dhe zgjedhje demokratike.

Që në momentin që Basha doli në krye të PD-së nuk e ka patur të lehtë. Mbase çdo ditë e çdo moment ka pyetur dhe ripyetur veten ashtu si edhe shumë prej nesh se a ishte zgjidhja e duhur për opozitën? A mundej të ishte një njeri që do të sillte ndryshim dhe promovonte unitet dhe prosperitet për vendin? Vetë ai mbase e ka bërë këtë pyetje shumë e shumë herë, por e vërteta është se Lulzim Basha nuk mund ta bëjë ndryshimin e madh vetëm. Ai u kërkon qytetarët të bashkohen me të dhe ngjarjet e fundit treguan se Basha dhe deputetët krah tij, që dorëzuan mandatet, nuk e kanë frikë përballjen. Basha dhe ekipi i tij nuk ka frikë të luftojë qoftë edhe trup me trup me horrat e policisë së pushtetit për të mbrojtur jo veten e tij, por disa parime që u vlejnë të gjithëve. Lulzim Basha është tashmë autoriteti që i duhet vendit dhe njohja e tij nga të gjithë njerëzit, votuesit, populli është gjëja e duhur dhe shansi i vetëm për një vazhdimësi në normalitet.

Ka sigurisht shumë pyetje në kokën e gjithsecilit nëse Basha është apo jo njeri i principeve ashtu si kuptohen këto principe në një botë perfekte. Por nëse zbresim në realitetin ku jetojnë do e kuptojmë se kjo mbase është e pamundur në të gjitha rastet. Por ama Basha nuk e kanabizoi Shqipërinë, nuk u fut në dialog, miqësi, ndarje përfitimesh dhe allishverishe pafund me krimin e organizuar. Nuk është ai arsyeja përse Shqipëria po lëngon sot nën pushtetin e një njeriu të mbaruar e të marrë fund me gjithë të shkuarën e tij.

Lulzim Basha është i vetmi autoritet që mund të nxjerrë vendin në një liman më të qetë e të drejtojë anijen kombëtare në ujëra më të sigurta. Në mungesë të cdo autoriteti tjetër kushtetues, është i vetmi autoritet që duhet të njohim. Tani është koha që 11 Majin 2019 ta kthejmë në një vullkan shoqëror që me vlimin dhe llavën popullore do të përcëllojë eshtrat e mëkatarëve, renegatëve, oligarkëve dhe gjithë atyre që sot paturpësisht i shërbejnë vetvetes dhe varrosjes së demokracisë.

Përkrah Lulzim Bashës jo për pushtet, por për shpëtimin e vendit tonë dhe të ardhmes të fëmijëve tanë. Le të gjëmojë tik-taku fatal në tëmthat e atyre që thurën planet për masakrimin e interesave kombëtare.

Le të bashkohemi të gjithë e ta kthejmë 11 Majin 2019 në ferrin e pushtetit të pushtuesve që kërkojnë të na marrin shtëpitë, nderin dhe demokracinë…

Fotografia e Albina Deda Gjoci

Please follow and like us: