Albspirit

Media/News/Publishing

Fox News: Disidentët iranianë, apel për mbylljen e ambasadave të regjimit të Iranit në Europë

Një grup kryesor i rezistencës iraniane po u bën thirrje vendeve europiane që t’i mbyllin ambasadat e Teheranit si përgjigje ndaj përdorimit të supozuar të ambasadave nga ana e regjimit për të organizuar sulme terroriste ndaj kundërshtarëve të tij politikë në kontinent, ka raportuar Fox News në fundjavë. “Ajo që ne kërkojmë është mbyllja e ambasadave të regjimit iranian”, u tha reporterëve Alireza Jafarzadeh, Zëvendës Drejtor i Zyrës Përfaqësuese në SHBA të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit në një konferencë për shtyp në Uashington D.C. javën e shkuar. “Këto marrëdhënie diplomatike e kanë lejuar regjimin të organizojë sulme terroriste dhe vrasje në Perëndim”. Kjo konferencë lajmesh u zhvillua për të diskutuar publikimin e librit të ri të këtij grupi “Emisarët Iranianë të Terrorit,” i cili kërkon të vërë në dukje përdorimin e ambasadave nga ana e Teheranit për organizimin e sulmeve terroriste ndaj kundërshtarëve politikë në SHBA dhe Europë, shton Fox News. Komplotet e mbështetura nga Irani janë shtuar shumë vitet e fundit, veçanërisht në 2018-ën, vit kur NCRI ka regjistruar 10 raste komplotesh terroriste apo arrestimesh me akuza terrorizmi ndaj zyrtarëve iranianë. Disidentët thanë për Fox News vitin e shkuar se ka patur gjithashtu shqetësim të madh lidhur me praninë e regjimit në Shqipëri, ku supozohet se ambasada iraniane po e rrit stafin dhe ka dërguar operativë të lartë të inteligjencës. Shqipëria është e rëndësishme pasi atje janë zhvendosur nga Iraku në 2016-ën 2,000 disidentë iranianë që i përkasin Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK). Ish-Kryeministri shqiptar Pandeli Majko pati zbuluar për Fox News në atë kohë se zyrtarët amerikanë i kishin thënë se duhet ta forconte sigurinë personale pasi kishin marrë informata për një kërcënim kundër tij. Një zyrtar i lartë amerikan i kundër-terrorizmit tha për Fox News se autoritetet shqiptare kanë arrestuar vitin e shkuar dy operativë iranianë me akuza terrorizmi. NCRI ka vënë në dukje edhe arrestime dhe komplote të dyshuara në Britani, Gjermani, Turqi dhe SHBA – ku dy iranianë u arrestuan nga FBI në gusht me dyshimin se po mblidhnin informata për MOIS – si shenja të shtimit të lëvizjeve terroriste të Iranit në Perëndim. Prania e rritur e Iranit në Europë është vënë re në Uashington dhe ka shkaktuar vështirësi për vendet europiane që përpiqen të nxisin mbështetje për paktin bërthamor të 2015-ës me Iranin pas largimit të SHBA-së nga ky pakt vitin e shkuar. Mes rekomandimeve, më të rëndësishmet janë thirrja e NCRI-së që Departamenti i Shtetit ta etiketojë MOIS-in si FTO  si dhe thirrja që Europa t’i mbyllë ambasadat e Iranit. “Diplomatët terroristë të Teheranit duhet të sillen përpara drejtësisë ose të përjashtohen, dhe ambasadat e tij duhet të mbyllen. Ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë qendrat nervore të spiunazhit e terrorizmit dhe kanë rol thelbësor në operacionet terroriste të Teheranit jashtë vendit”, thotë libri. Ky mesazh i NCRI-së vjen pasi nuk ka kaluar as një muaj që kur Presidenti Trump e damkosi IRGC-në si FTO dhe Pompeo shpalli se SHBA nuk do të japë më lehtësime lidhur me sanksionet për asnjë vend që importon naftë nga Irani. Javën e shkuar, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha në “Fox News Sunday” se politika e administratës Trump është duke patur një efekt të konsiderueshëm. “[Kjo politikë] është të ushtrohet presion maksimal mbi regjimin që ta ndryshojë sjelljen e tij, dhe mendoj që po funksionon, dhe mendoj se është kjo gjëja për të cilën ata janë të shqetësuar”.

Please follow and like us: