Vjollca Koko: Një pasdite e këndshme me publicistin dhe tregimtarin, Avdulla Kënaçi
Një pasdite e këndshme mes miqsh, ishte kjo e sotmja. Avdulla Kënaçi, gazetar dhe autor i shumë botimeve, i cili prej shumë vitesh jeton në Kanada, erdhi dhe më dhuroi përmbledhjen e tij të fundit me tregime të botuar, titulluar “Enigma e një nate”. Folëm për librin e tij dhe më pas kaluam një kohë të bukur diskutimesh. Dëgjoja me vëmendje kur më tregonte sesi janë të organizuara kujdesjet dhe shërbimet sociale në Kanada. Më tregoi për cilësinë e shërbimeve mjekësore dhe sociale ndaj të sëmurëve me sëmundjen time sidomos kur humbasin aftësinë për të ecur. Më tregonte për mundësitë që kanë shoqatat e shoqërisë civile në Kanada për të ndikuar në politikëbërje dhe vendimarrje.
Më pas, shoqërisë tonë ju shtua miku ynë, Murat Keraj. Folëm për punimet e tij dhe vlerën e tyre në historikun e zonës tonë. Unë si kureshtare e pyesja se sa mundësi kanë punimet e tij për t’i mbijetuar kushteve atmosferike për kohë të gjatë, psh, shtatorja e mendimtarit dhe luftëtarit Idriz Suli në Zhulat. Më tregoi për disa lëndë që përdorte gjatë punimit në dru, të cilat e mbrojnë nga faktorët atmosferikë, por që sigurisht duhet treguar kujdes për ruajtjen e punimeve të tilla.
Një telefonatë bëri që grupit tonë t’i shtohej dhe Marin Mema me stafin, të cilët ndodheshin në Gjirokastër për emisionin e rradhës “Gjurmë shqiptare” i planifikuar kësaj rradhe në një zonë historike të Bashkisë tonë. Biseda u përqëndrua në kronikat që Marini ka bërë për historinë e Gjirokastrës dhe në mënyrë të veçantë për historinë e Çerciz Topullit dhe çetës së tij.
Dëgjoja me vëmendje rëndësinë që u jepte intervistave me njerëzit e moshuar nga të cilët mbledh shumë informacione dhe i bën pjesë të gjurmëve shqiptare. Pasioni i tij për të hulumtuar të kaluarën e vendit, bënte që sytë t’i ndrisnin.
Sinqerisht, isha në mëdyshje, ta vendosja apo të mos ta vendosja këtë status, sepse të gjithë kemi ditë të tilla në jetët tona. Por e ndodhur në shoqërinë e Avdullait, Muratit dhe Marinit, përjetova në një kohë të shkurtër shumë emocione dhe mora mjaft energji pozitive. Isha mes miqsh me pasione për të shkruar, për të krijuar, për të gjurmuar historinë e vendit tonë.