Uashingtoni përkujton revoltat në burgjet e Spaçit dhe të Qafë Barit
Uashington, 21 maj 2019 – Bashkëvuajtësit e burgut të Spaçit dhe Qafë Barit, zgjodhën përmendoren kushtuar viktimave të komunizmit, në Uashington, për të kujtuar revotën e 21 maj të vitit 1973 në Spaç dhe atë të 22 majit të vitit 1984 në Qafë Bari që shihen si dy nga lëvizjet më të njohura kundër regjimit komunist.
“Gjordeni e kishte mbiemrin. Kos Gjordeni. Ata e qëlluan që aty… Ai filloi bërtiti dhe atëherë u revoltuan të burgosurit që ishin në mencë. Hapën derën me forcë. U përleshën me policinë e cila iku nga kampi”.
Naim Staravecka ka qënë i burgosur në Spaç nga viti 1979 deri në vitin 1983 për t’u transferuar më pas në burgun e Qafë Barit. Ai mban mbi supe shumë vuajtje dhe ka qënë dëshmitar i asaj revolte.
“Me thënë të drejtën unë sjell në kujtesë ata djem aq të rinj, dhe aq të mirë sa ishin që i pushkatuan dhe u sollën me ta mizorisht. Një tmerr i vërtetë dhe mbas revoltën aty në kamp bëhej barbari e vërtetë. Nuk e di në janë trajtuar kështu izraelitët në kohën e gjermanëve”.
“Nuk kemi shumë raste si ky”, thotë Lek Mirakaj, ku njerëzit të mbyllur brenda telave nën kamzhikun e policit, të ngrihen për të kërkuar liri dhe demokraci. Zoti Mirakaj kërkon më shumë vëmendje ndaj ngjarjeve të tilla që e nderojnë kombin shqiptar dhe flasin për shembullin e luftës për demokraci.
“Ne sot këtu erdhëm për t’i dhënë një mesazh si opozitës ashtu edhe ekzekutivit. Ata mund të bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë, por brezat që do të vijnë janë të interesuar, pavarësisht të bijtë e kujt do të jenë. Do të kenë nevojë me mësu të vërtetën, ashtu siç po ndodh në tërë botën”.
Pëllumb Lamaj, organizatori kryesor i kësaj ceremonie i bën apel klasës politike dhe institucioneve shqiptare t’i kushtojnë më shumë vëmendje të kaluarës dhe të dënojnë krimet e komunizmit.
“Unë do t’i bëjë thirrje institucioneve shqiptare, atyre që merren me historinë, me kulturën, ti kushtojnë më shumë vëmendje të kaluarës. Është një periudhë 50 vjeçare, një periudhë që mbolli vetëm terror, mbolli vrasje, i ndau shqiptarët me luftën e klasave … dhe shqiptarët nuk mund të ecin përpara pa hequr nga supet këtë turp dhe krim historik do të thosha unë”.
Gati tre dekada pas rrëzimit të regjimit komunist, krimet e kryera gjatë asaj periudhe vazhdojnë të mos u kushtohet vëmendja dhe kujtesa që meritojnë.
(Rudina Dervishi, Zëri i Amerikës)