Albspirit

Media/News/Publishing

Bubulinoja përfiton nga një gabim i babit

Image result for viron kona

 Viron Kona

 

 

-Po afron 1 Qershori-

 

Një ditë të diel në mëngjes, ngaqë donte të rrinte në shtëpi, babai i dha lekët Bubulinos për t’i blerë gazetat letrare.

– Ku t’i blejë? – e pyeti vogëlushi.

– Te kioska pranë pallatit tonë.

– Po, si e quajnë atë tetën që shet gazeta?

Babai e pa me habi: Ama edhe ky Bubulinoja, ç’pyetje që bën! Ku e dinte ai sesi e quanin shitësen e gazetave! Por, duke e ditur zakonin e vogëlushit, që s’ndahej pa marrë një përgjigje, ai i tha një emër që i erdhi në mendje atë çast:- Trëndafile!

– Si the, o babi?

– Trëndafile e quajnë. Ik shpejt tani!

S’kaluan disa minuta dhe Bubulinoja ia mbërriti. Gazetat i kishte blerë, por dukej i zemëruar.

– Ç’ke Bubulino? – e pyeti babai i shqetësuar.- Çfarë të ka ndodhur?

– Më ka ndodhur një gjë shumë e shëmtuar, o babi, sepse ti më gënjeve?

– Ç’thua more?! Kush të gënjeu?!-pyeti babai i çuditur.

– Ti o babi më gënjeve o ba, se më the që atë tetën që shet gazeta e quajnë Trëndafile?

– Pse, çfarë ndodhi? – pyeti babai gjithë kureshtje, por dhe duke u ndjerë në faj.

– Po ja, unë i thashë asaj: “- O teta Trëndafile, më jep gazetat që do babi im”, – dhe, i dhashë lekët.

Ajo u çudit me emrin që i thashë dhe më pyeti me inat:

– Ore bullafiq, kush të tha ty që mua më quajnë Trëndafile?

– Babi.

– E po, ai babi tënd ma ngatërron emrin me ndonjë tjetër. Me sa duket vuan nga veshët i gjori! – Pastaj, ajo u egërsua papritmas dhe, duke më tundur gishtin m’u përpara hundës, më porositi të të them që të kesh kujdes kur të kalosh afër Trëndafiles se mos të të shpojnë gjembat! Dhe, duke më thënë këto fjalë, nga inati, ajo m’i përplasi gazetat në fytyrë.

 

*   *   *

 

Pas kësaj që ndodhi, babait të Bubulinos i vinte turp të shkonte e t’i merrte vetë gazetat, kështu që dërgonte atje vogëlushin.

Por ç’po ndodhte?

Bubulinoja i merrte me qejf lekët e gazetave dhe dilte me vrap nga shtëpia. E ndërsa i ati priste gazetat, e shihte Bubulinon që vente dhe vinte në oborr duke lëpirë akullore, herë me një ngjyrë dhe herë me një ngjyrë tjetër. Me gjithë këshillat që të mos sorollatej andej-këndej dhe të kthehej shpejt në shtëpi se babi priste gazetat, ai e bëri zakon të kthehej duarbosh e kur i mbushej mendja. Jo vetëm që nuk i trembej asnjë lloj qortimi, por nisi të bëhej i padurueshëm me tekat dhe kërkesat e tij të tepruara dhe të çuditshme: I thoshte babit: – Unë shkoj t’i marrë gazetat, në qoftë se ti do të më sjellësh këtu një ari të bardhë dhe  një pinguin. Por, këto që po të kërkojë, të jenë prej vërteti dhe jo lodra. Për pinguinët kam dëgjuar se ka edhe me grada ushtarake: kapiten, major, kolonel… Nga ata pinguinë më pëlqejnë më shumë.

-Ç`thua more Bubulino, nuk e di ti që arinjtë e bardhë gjenden në Polin e Veriut, kurse pinguinët në Polin e Jugut? Po më çmend me këto kërkesa, o Bubulino!

-Nuk e  di unë, po nuk m`i solle, shko e bli vetë gazetat.

-Ore, je në vete ti! Pse s‘thua që të të sjellë edhe Hënën këtu! – i bërtiti një ditë babai, ngaqë u mërzit shumë nga kërkesat dhe tekat e padëgjuara të vogëlushit.

-Po,- iu përgjigj Bubulinoja gjithë seriozitet,- Edhe Hënën ma sill se dua të luaj pakëz me të. Sa mirë të vajti mendja, o babi! – përfundoi vogëlushi, duke e lënë të atin krejt të zemëruar dhe ia mbathi vrap shkallëve…

Image result for viron kona, bubulino

 

Please follow and like us: