Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Spaçi ose pengu i pa zbardhur

Fotografia e Ilir Levonja

Fotografia e Ilir Levonja

Nga një podium i vogël, brenda ambjenteve të burgut të Spaçit, ambasadorja e Europës u tha shqiptarëve se ka një plan projekt financimi nga komuniteti për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të burgosurve të regjimit të kaluar. Kjo përkonte me 45 vjetorin e të ashtuquajturës revolta e disidencës, e ndodhur në kampin e riedukimit a burgun famëkeq në Spaç të Mirditës, pikërisht midis datave 21 e 23 maj 1973. Eshtë një nga ato institucione ku tregohet fytyra e vërtetë a brutaliteti i luftës së klasave, faqja e zezë e së shkuarës sonë jo të largët, në ato vitet e ndërtimit të socializmit. Institucioni që u krijua nga ata që ndjenjave perverse u veshën parullat në emër të popullit, për popullin, t’ia lërojmë nënën popullit. Ky ishte soji më i pa arsimuar, soji i gjirizeve, shkurt rënia jonë kombëtare, soji klasor pasojat e të cilit po i vuajmë edhe sot. Megjithatë është tmerrësisht e trishtueshme që, edhe pas kaq vitesh demokraci, akoma ka të pushkatur që nuk u janë gjendur dhe identifikuar eshtrat.
Dhe kjo ka arsyet e veta.
E para ne nuk e njohim faljen si institucion. Nuk bëm kurrë një pajtim kombëtar. Dhe shpesh e më shpesh suportojmë me pushtet ata që na kënaqin nepset tona.
E dyta nuk u ndamë nga komunizmi as me distancim moral dhe as me ligj. Sajuam ca platforma të zbehta ligjore mbi pastrimin e figurës, dosjet, ca platforma gjoja dëmshpërblimesh, etj…, por që gjithsesi nuk kishin asgjë të përbashkët me thelbin, ndarjen a distancimin nga e shkuara e turpshme.
E treta…, komunistëve u dhamë pushtet, i bëm lidera. I kemi akoma aty. Kurse bijtë i nderojmë e i votojmë. Madje edhe platformën e fjalës së lirë, duke dëgjuar devizën disa vjeçare se vrasjet, persekutimet etj…, i bënë në emër të ligjit. Jo diktaturës. Kjo është dhe fyerja më e madhe, karshi së sotshmes, dhimokracisë sonë. Dhe plotësisht e shpjegueshme kur në të njëjtën kohë që përkujtohej kjo revoltë në ato ambjente mjerane, kryeministri i vendit grindej me një minoritar nga Dropulli në emër të fushatës së llogaridhënies. Një bajatizëm i radhës i bijve ,etërit e të të cilëve e quanin gju më gju me popullin. Askush tjetër nuk kishte arsye më të qartë se qeveriu dhe qeveria ta linin vetëm atë tubim, ku të rrahurat me shufra hekuri, shfarosja dhe shpërbërja ishin mjete normale të komunikimit. Ndërkohë edhe një mesazh i qartë e që na i jep pa gajle, neve, verbanëve me sy të bukur. Por ne jemi verbanë, verbanë dhe të shurdhët.
Ka edhe dhjetra arsye antinjerëzore, të tjera. Ndaj në ato ambjente britmash të fikura, karshi fjalimeve sa për të larë gojën, rëndon akoma një fakt. Të pushkatuarit e humbur. Pengu i pa zbardhur që na mban akoma pezull mbi një luftë të ashpër klanesh.
___________
(Shkruar më 22 maj 2018).

Fotografia e Ilir Levonja

Please follow and like us: