Kujdesi shëndetësor dhe social i sëmundjes Alzheimer dhe Dementia” në Ballkan
Gjergji VASILI, President i RC Tirana
Agim E. SHEHU, PhD, Koordinator i Projektit, RC Tirana
Rotary Club Tirana, nën kujdesin dhe mbështetjen e RC i New York (The Host Club of Amerika–Club#6, www.nyrotary.org. and Rotarian Action Group for Peace, Transformational Impact Committee) jemi nxitur dhe angazhuar për të realizuar zgjerimin e rrjetit me të gjithë Rotarianët dhe Anëtarët “Rotaract” të rajonit të Ballkanit si dhe miqtë, që do të bashkohen për të rritur dialogun midis tyre dhe për të nisur diskutimin mbi çështjet e shëndetit në shekullin e 21-të si çështje globale edhe në rajonin e Ballkanit. Një çështje e tillë shumë e rëndësishme është e lidhur me edukimin dhe kujdesin shëndetësor të sëmundjes Alzheimer dhe Dementia (sëmundje mendore dhe kujtesës).
Qëllimi kryesor i “Workshop-it” është që të inkurajohen klubet dhe rrethet e Rotarit në këtë rajon, mjekët në përgjithësi dhe specialistët, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ndërmarrë projekte rajonale ose lokale që do të përfshijnë dhe nxisin edukimin për trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit dhe Dementian. Rotary Club Tirana beson se një projekt i tillë do të mbështesë dhe inkurajojë rrjetëzimin dhe bashkëpunimin ndërmjet klubeve dhe rretheve të Rotarit si dhe shumë organizatave në rajonin e Ballkanit që kanë qëllime të ngjashme.
Qëllimi i Klubit është të formojë së pari një grup Rotarianësh dhe mjekësh profesionistë, dhe jo vetëm, për të punuar në “Kujdesin Shëndetësor dhe Social të sëmundjes së Alzheimerit dhe Dementias” në rajonin e Ballkanit. Klubi ka vendosur lidhje të drejtpërdrejta me klube rotariane në rajon, duke u zgjeruar jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë por edhe në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë – Hercegovinë si dhe në Serbi, si edhe ka siguruar mbështetjen e këtij projekti nga klubet Rotaracte, shoqëria civile dhe miqtë e këtij sektori me qëllim grupimin për ta filluar takimin e parë dhe dialogun e hapur për edukimin, kujdesin shëndetësor dhe social të sëmundjes Alzheimer dhe Dementia në rajonin e Ballkanit në një Workshop Rajonal, duke mbështetur punën me një grup bazë, me idetë dhe detajet e programit të punës etj.
Rajoni i Ballkanit ka nevojë për bashkëpunim dhe pasqyrim të lidhjeve mes vendeve tona ku Klubet Rotariane kanë mundësi për të bërë më shumë në këtë drejtim. Mbështetja dhe emri i RCNY tregon se këto lidhje dhe bashkëpunime mbështeten dhe forcohen edhe në rang ndërkombëtar. Ballkani ka nevojë ta pasqyrojë dhe të ketë një aktivitet të tillë për tu treguar të gjithëve që familja Rotariane është një familje e madhe në Ballkan dhe në botë, një familje që punon së bashku për edukimin e mirë, për shëndetin e mirë, për uljen e varfërisë në zonat në nevojë dhe në shërbim të komunitetit.
Klubet Rotariane të kontaktuara nga Rotary Club Tirana, të akorduara dhe të gatshme për bashkëpunim dhe pjesëmarrje me mjekë dhe profesionistë në këto fusha, janë klubet Rotariane: në Shqipëri, Mal i Zi (RC Ulqini), Kosovë (RC Prizreni, RC Gjakova Cabrati), Maqedoninë e Veriut (RC Tetova), Serbi (RC Kikinda dhe në Bosnjë – Hercegovina (RC Sarajev).
Rotary Club Tiarna, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë dhe stafin e Pedagogëve, mjekëve të specializuar në këtë fushë, realizoi një workshop të nivelit profesional dhe me njohuri për publikun e gjerë, ku njëherazi kanë dalë edhe probleme për të cilat kërkohet një mbështetje më e madhe si dhe përfshirjen më të plotë të këtyre problemeve në politikat shëndetësore në të ardhmen.
Rotary Club Tirana vlerëson inkurajimin, korrespondencën e vazhdueshme dhe mbështetjen e punës të realizuar deri tani nga Rotarianët Can Erbilgin, Kaan Soyak, Batu Hofer etc. (RC i NY.), të Rotarianëve Sergio Bernardini (Itali ), si drejtues të grupit të punës të caktuar nga RC i New York-ut.
Workshopi i organizuar në datën 24 Maj 2019 në Tiranë kishte një pjesëmarrje të gjerë për mbi 100 persona, përfshirë rotarianë, përfaqësues nga Parlamenti dhe Ministria e Shëndetësisë, QSUT “Nënë Tereza”, Universiteti i Mjekësisë, Shëndeti Publik, Profesorë mjekë, studiues, nga shoqëria civile, administrata e sektorit shëndetësor, shoqatat e siguracioneve, etj.
Nga ana tjetër, RCNY ka filluar përgatitjen dhe bashkëpunimin me RC Tirana për realizimin e një “webinar” (seminar – online) që do të trajtojë problemet dhe gjendjen për kujdesin shëndetësor në vendet e ndryshme të Ballkanit, përfshirë këtu edhe trajtimin e sëmundjes Alzheimer dhe Dementia. Çdo rotarian ose mik i familjes Rotariane, Institucion, shoqëri civile, mjek etj. janë të mirëpritur për të bashkëpunuar në të ardhmen në këtë drejtim.
Për sa më sipër, duke informuar publikun, RC Tirana, pasqyron punën dhe rezultatet e arritura deri tani me synim vlerësimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin për aktivite të tjera në vijim duke marrë pjesë, referuar apo diskutuar përvojën dhe mundësitë e trajtimit për këtë sëmundje me qëllimin e caktuara për rritjen e pandërprerë të kujdesit shëndetësor e social për sëmundjet Alzheimer dhe Dementia në vendet e rajonit të Ballkanit.