Luan Rama: Për ardhmërinë e Europës së Bashkuar!
(Hyrja në Europën e Bashkuar nuk është thjeshtë si një biletë teatri apo kinemaje…)
——
Ditë zgjedhjesh, për ardhmërinë e Europës… Votova, dhe sigurisht për europianistët, me Macron në krye. Thomas Moore, Erasme, Campanela, të gjithë utopistët e parë të Europës, të ndjekur nga Hugo me thirrjen e tij për Shtetet e Bashkuara të Europës dhe pionerët e parë të Europës së Bashkuar, Monet, Schumann, etj, do të zhgënjeheshin nëse veçanërisht ne, shqiptarë të vendosur në Europë, me dëshirën e madhe të integrimit, të abstenonim apo të votonim jo për ata që duan ta çojnë përpara këtë Europë por për populistët e sotëm ultra të djathtë që kujtojnë se në një Europë të mbylljes së kufijve do të jetojnë më mirë. Dhe padyshim, duke integruar Ballkanin perëndimor, Europa e nesërme do të jetë më e fuqishme për të përballur sfidat e mëdha që po shfaqen në horizont. Nëse ndokush me frymë europiane nuk voton sot për ekipin e Macron, sepse ish ministrja franceze e çështjeve europiane ka deklaruar se ishte ajo që e ka bllokur për momentin hyrjen e Shqipërisë dhe të Maqedonisë veriore në BE, mendoj se gabon. Qëndrimi i një personi edhe pse përfaqëson qeverinë franceze nuk na pengon në bindjet tona europiane. Madje, dua të them se ne shqiptarët nuk shohim mirë realitetin shqiptar, se ç’ndodh me klasën politike shqiptare, korrupsionin galopant, bllokazhet demokratike dhe shfaqjet e rrugës me një agresivitet të jashtëzakonshëm. Jo, ne s’mund tê hymê në Europë duke djegur institucionet, duke mos respektuar rregullat më elementare demokratike, duke mos pranuar reformën e madhe në Drejtësi. Si mund të hyjmë në Europë kur biznesmenët bëhen deputetë për të mbojtur interesat dhe përfitimet e tyre. Nathalie Loiseau ka qenë e sinqertë kur e ka thënë atë dhe kjo duhet të na bëjë të mendojmë, ne dhe së pari ata që nesër do të përbejnë një klasë të re politike. Hyrja në Europë nuk është të presësh një biletë kinemaje apo teatri, nuk është pjesë e një spektakli: hyrja në Europë ështê një ide e madhe dhe transformuese për një shoqëri të re që kërkon punë dhe kurajo. Mjaft më të shajmë europianët, sikur ta kenë fajin ata. Tê kujtojmê gjithnjë se që në ndryshimet e para demokratike ishte Europa e Bashkuar ajo që iu gjend pranê Shqipërisë së varfër dhe nê kaos tê plotë. Le të bëjmë që idea europiane të triumfojë pasi kjo ka tê bëjë me të ardhmen tonë, ndryshe Shqipëria e vogël s’do tê mund kurrë të përballojë sfidat e këtij mijëvjeçari tê ri…