Albspirit

Media/News/Publishing

Z.Lushtaku, nuk po ju lufton UDB-ja e Rusia, por Amerika dhe shqiptarët, viktima të klanit tuaj!

Kisha rastin sot të isha dëshmitar i një dialogu të rënduar emocionalisht. Në fund të bisedës e kuptova se sa nuk po i rridhnin lotët një nëne dhe mezi po i përmbahej ngulçimit! “Vajza ime po thotë se nuk do të kthehet më në Kosovë. Ajo është e re dhe nuk po më dëgjon”

Shkruan: Idriz Morina

Ish komandant në zonën e Drenicës, në formacionet jashtëinstitucionale, Sami Lushtaku, është ankuar se lufta e shqiptarëve të Kosovës po sulmohet prej shërbimeve serbe e ruse dhe ka bërë thirrje se duhet të mbrohet lufta e UÇK-së.

“UÇK po përballet prej njerëzve të UDB-së së Serbisë dhe Rusisë. Po trajtohet në mënyrën më të keqe të mundshme. Po atakohemi jo vetëm nga shërbimi serb por edhe nga Rusia”, deklaroi sot Lushtaku.

Por, a ka menduar ndonjëherë Sami Lushtaku se sa i ka gënjyer dhe zhgënjyer shqiptarët në liri përveçse në luftë?!
Me pafuqinë e vet ushtarake që kishte, joprofesionalizmin, dhe madje i takonte grupit që përndiqte profesionistët, përfshirë edhe heroin kombëtar të Kosovës, por edhe të Kroacisë (atje ka edhe adhurim për të) legjionarin Bekim Berisha – Abeja, i cili kishte ushtruar njësitë e UÇK-së në Drenicë së bashku me ushtarakun Afrim Shurrecin, të cilët ishin detyruar të largoheshin, pikërisht për shkak të sjelljeve të gabuara, anarkiste, dhe pa interes të njëmendët kombëtar, që i ndiqte Shtabi i Drenicës dhe Shtabi i ashtuquajtur i “Rognerit”, për shkak të selisë nga mundoheshin ta drejtonin luftën, emri eponim i hotelit “Rogner” në Tiranë, që njihej si hotel austriak.

Ky është vetëm një imazh, që rrëzon pohimet tuaja z.Lushtaku të të menduarit se Serbia dhe Rusia po luftojnë kundër UÇK-së. Ky formacion është shpërndarë me vendimin e mikut tuaj Hashim Thaçit, madje në mënyrë të turpshme, duke e lënë Kosovën bash ashtu siç ka dashur Serbia dhe Rusia, dhe ti as që e ke marrë mundimin ta kundërshtosh (publikisht).

Ti nuk ke kërkuar asnjëherë llogari dhe asnjëherë nuk ke kërkuar falje që miq tuaj kanë kërcënuar dhe më pas kanë finalizuar ekzekutimin e ministrit të mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, duke pranuar të ndodhin ngjarje pikërisht siç ka dashur, e me gjasë edhe projektuar e porositur UDB-ja dhe KOS-i (Shërbimi Inteligjent Ushtarak i Jugosllavisë, siç quhej). Dhe po ashtu të figurave eminente kombëtare si Enver Maloku, Xhemail Mustafa, dhe të shumë viktimave të tjera, mbështetës të presidentit Rugova.

Ti nuk i ke kërkuar asnjëherë llogari Hashim Thaçit që nxori në Pazar tokën e Kosovës, duke i ofruar Serbisë mbi 10% të territorit! (Ndërsa, sot mashtron se kinse po kërkon bashkim me Shqipërinë, e deri një ditë më parë se do të merrte Kosovën Lindore pa dhënë asgjë. Por, këto kalkulime po i bën vetëm pasi që SHBA-BRITANIA-GJERMANIA dhe madje Franca, rrëzuan planin ruso-serb për copëtimin e Kosovës).

Ti nuk i kërkove llogari Thaçit as kur bisedoi me Putinin, kur të gjithë ne ishim të shqetësuar për ndikimin rus.

Vetëm këto dy fakte mjaftojnë që t’i të kërkosh falje për akuzat që ia bën kritikëve dhe miqve të shqiptarëve, që e kanë drejtuar gishtin drejt klaneve kriminale në Kosovë!

Ti sapo u lirove nga akuza e ngritur nga prokuroria nën dyshimin për abuzim me 6 milionë euro, i njohur si rasti “KEK-u”.

Pikërisht ky vendim drejtësie e bëri ambasadorin amerikan Kosnet, që të reagojë i shqetësuar se u manipulua drejtësia. (https://gazetashqiptari.com/kosnet-kritikon-gjykaten-e-prishtines-per-lirimin-e-sami-lushtakut/)
Të njëjtën gjë e bëri edhe Britania e Madhe, përkatësisht ambasadori i saj, Ruari O’Connell.

Me këto dy vende identifikohet NATO-ja, organizata që nuk më çliroi vetëm mua dhe ktheu 1.4 milionë shqiptarë të dëbuar dhe shpërngulur me marshin e tankeve dhe aparatit vrastar e gjenocidal, por të shpëtoi edhe ty (b. tënde), që nuk kishte ku zinte vend, dhe që se mbronte dot më asnjë shqiptar në ikje! (https://gazetashqiptari.com/wesley-clark-ne-i-kthyem-ne-shtepite-e-tyre-1-4-milione-shqiptare-te-zhvendosur-nga-forcat-serbe/)

Pra, gishtin drejt jush dhe Grupit “Drenica”, dhe të dyshuarve të tjerë që ishin në UÇK po e drejton SHBA-ja, kundërshtari kryesor i Rusisë, dhe madje Serbisë.

Kisha rastin sot të isha dëshmitar i një dialogu të rënduar emocionalisht. Në fund të bisedës e kuptova se sa nuk po i rridhnin lotët një nëne dhe mezi po i përmbahej ngulçimit! “Vajza ime po thotë se nuk do të kthehet më në Kosovë. Ajo është e re dhe nuk po më dëgjon”, tha sikur për të kërkuar ndihmë, por e dinte se çdo përpjekje ishte e kot.

Vajza e re, në lulen e rinisë, dhe me një bukuri të rrallë, që vetëm Zoti ia kishte dhuruar, është studente në dy fakultete, familja e saj nuk është e pabukë, dhe as e papunë. Madje e ngjitur mirë në biznes dhe me pjesëmarrje në pushtet lokal, të një partie në pushtet qendror.

Ajo nuk po e braktis Kosovën, as për mungesë parash, as në pamundësi studimesh, as pse ka qenë viktimë e luftës (sepse ndoshta as kishte lindur me 1999). “Këtu s’ka më asnjë shpresë, kur i shoh gjithë ata njerëz me kaq shumë shkollë të papunë, e të thyer shpirtërisht. Nuk besoj se do të kthehem më!”.
Ajo po ikë sepse ju ‘komandantët’ rrahagjoksë, që keni gënjyer se jeni çlirimtarë, ia keni vrarë shpresën!

Pra, z.Lushtaku këto të reja dhe të rinjë nuk po ikin më nga Serbia apo Rusia, siç po të pëlqen ti të mendosh, por po ikin nga ju, nëse jo nga ti personalisht nga miqtë tuaj, që t’i nuk ju shqite për 20 vjet, gjithsesi po, sepse:

Janë të zhytur në krim dhe korrupsion në luftë dhe në paqe.

Të pasuruar në luftë, atëherë kur 1.4 milionë shqiptarë s’kishin as kulm mbi krye, dhe nuk kishin as ku të ktheheshin, ‘shokët’ tuaj komandat ia dolën të pasurohen! Ndërsa, ata që ende kishin mbetur në Kosovë, kishin vetëm një lutje, që NATO-ja t’ia thyente qafën serbëve dhe Serbisë, sepse i kishin çuar duart nga ju, përveç Koshares që jepte një fije shprese.

“Shokët tuaj jo vetëm që u pasuruan nga vjedhja e fondeve të luftës, uzurpimet dhe haraçi pas luftës, por nuk ndaloi dhe nuk po ndalon së zhvaturi pasuritë e dikurshme të përbashkëta, që ju i privatizuat për një kacidhe.

Aeroportin, KEK-un, “Ferronikelin” dhe çdo fabrikë të vlefshme ju e gjunjëzuat dhe shkatërruat, duke e kthyer industrinë e Kosovës, një shekull mbrapa, në mënyrë që ju të bëheshit gjithsesi milioner.

Ju e morët peng drejtësinë në Kosovë, dhe ajo akuzon dhe dënon vetëm për interesa tuaja, dhe për krime të vogla ordinere, ndërsa për rastet “Toka”, “Pronto”… dhe qindra të tjera as që ekziston!

Prandaj, mbani bashkëpërgjegjësinë me presidentin tuaj, që ti luftove maksimalisht ta sjellësh në pozitën që ka, për të bërat tuaja, që çuan në zbrazjen e Kosovës, dhe që nuk ka të ndalur!

Nga 1.7 milionë shqiptarë sa ishin me 1989, në ardhjen në pushtet të Millosheviçit, dhe në mbi 2 milionë me 2000-2001, sot Kosova nuk i ka, sipas informacioneve në media, as 1.5 milionë shqiptarë!

Kush është këtu në rolin e Rusisë dhe  Serbisë?!

Prandaj, Amerika dhe ne që ende e duam Kosovën, kemi drejtuar gishtin nga ju dhe klani “Pronto”!

Dhe po Amerika dhe Britania ju ka futur në ‘karantinë’ (Ua ka ndalur udhëtimet drejt këtyre vendeve juve që jeni në këto afera korruptive dhe kriminale)!

Please follow and like us: