Policia çon të fala, pranga për ish-kryekomunarin te Shala
Policia e Shkodrës ka arrestuar ish kryetarin e komunës Shalë, Dedë Tonaj, i cili ishte në kërkim pasi është dënuar për abuzim me pronat.
Gjykata e Shkodrës ka dënuar Tonajn më 19 dhjetor të 2017 me 2.8 vite burg pasi ai rezultonte se kishte falsifikuar dokumenta me qëllim tjetërsimin e pronave.
Sipas organit të akuzës, në vitin 2008, ish kryetari i kësaj komune, Dedë Tonaj, në bashkëpunim me ish vartësit e tij, Tom Shyti dhe Gjovalin Lokthi, kanë falsifikuar dokumente zyrtare. Në bazë të këtyre dokumenteve dhe pa asnjë të drejtë ligjore, kanë bërë pronarë një numër personash, mes të cilëve edhe të afërm të tyre si dhe persona që nuk janë banorë të zonës turistike të Thethit. Sipërfaqja e tokës pronave të tjetërsuara sipas gjykatës kapte shifrën e 41.500 metra katrorë.
Ish kryetarit të komunës Shalë, i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhe kohe prej 5 vitesh në bazë të nenit 35/1 të Kodit Penal.