Albspirit

Media/News/Publishing

KPA shkarkon Rovena Gashin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkon Rovena Gashin! Ish-drejtuesja e Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, e shkarkuar nga shkalla e parë e vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kishte kërkuar rikthimin në detyrë.

Në seancën dëgjimore të korrikut 2018, KPK ishte shprehur se Gashi ka mospërputhje me deklarimin e pasurisë.  Sipas KPK-së, janë bërë deklarime të pasakta, janë kryer akte fiktive noteriale dhe janë dhënë përgjigje të pasakta për pyetjet e KPK-së.

Hetimi për pasurinë 

Praktikisht gjithë hetimi i KPK-së rreth pasurive të Gashit është fokusuar në dy apartamente, pasi më herët Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë e Konfliktit të Interesit, pati dorëzuar një raport në të cilin akuzonte Gashin për deklarim të pasaktë, mungesë burimesh financiare dhe deklarim të rremë.

KPK bën me dije se hetimet u zhvilluan nisur nga ky raport. Sipas vendimit të zbardhur Gashi së bashku me bashkëshortin Gina kishin blerë fillimisht një apartament të deklaruar me vlerë 80 mijë euro në Durrës. Bazuar në kontratat noteriale që KPK mori në dorëzim, rezultoi se çifti kishte nënshkruar marrëveshjen me kompaninë “Balkan Investiment Group” (emri i anonimizuar në vendimin e zbardhur u përmend në seancën dëgjimore) për ta paguar apartamentin në dy këste 30,000 euro dhe 50,000 euro.

Kur KPK nisur nga këto deklarata noteriale i kërkoi shpjegim Gashit për këtë pasuri dhe burimin e parave me të cilën ishte bërë pagesa, ajo e fundit i paraqiti KPK-së një deklaratë nga ndërtuesi Oliver Ushina, njëkohësisht kunati i saj, sipas të cilës ata kishin pasur marrëveshje preferenciale dhe se kishin paguar vetëm 45 mijë euro për shtëpinë të cilat ishin marrë kredi.

KPK thotë se u gjend para dy deklarimeve të ndryshme. Në një anën ishin deklaratat noteriale të nënshkruara nga Gashi e Gina me kompaninë dhe me bankën, ku njëkohësisht bëhej me dije se ishin kryer pagesat e dy kësteve 30 dhe 50 mijë euro dhe në anën tjetër ishte qëndrimi i Gashit dhe ndërtuesit se kishin paguar vetëm 45 mijë euro të marra kredi.

Në përfundim, KPK vendosi të marrë parasysh deklarata noteriale dhe vendosi se Gashi kishte bërë “deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me çmimin e blerjes së apartamentit”, ka bërë “deklarime të pasakta dhe me përmbajtje të ndryshme nga sa rezulton nga të dhënat e kontratave të nënshkruara prej saj” dhe “i ka dhënë Komisionit përgjigje të pavërteta”.

Komisioni vlerësoi siç del në vendimin e zbardhur se kontratat noteriale kishin përparësi nga deklarimet e mëpasme të palëve “që pasi kanë firmosur përpara noterit një kontratë apo deklaratë, pohojnë diçka të ndryshme dhe në kundërshtim me vetë aktet noteriale”. KPK doli në përfundimin se bazuar në këto dokumente, ishte provuar “deklarimi i pamjaftueshëm”.

Probleme të ngjashme KPK gjeti edhe sa i përket apartamentit në Tiranë me sipërfaqe 121 metra. Në vendimin e KPK-së rezulton se Gashi ka pretenduar që apartamenti i është dhuruar nga babai dhe ka depozituar po ashtu një akt noterial të këtij të fundit në vitin 2013 në të cilin pretendohet dhurimi.

Por KPK thotë se regjistrimi i kësaj prone në vitin 2013 është bërë në bazë të një kontrate me kompaninë e ndërtimit, ku pagues të vlerës së apartamentit 38 mijë euro janë Gashi dhe Gina. Ndër të tjera, KPK thotë se përtej pretendimit të prokurores, babai nuk mund t’ia dhuronte apartamentin, për sa kohë ai nuk ka pasur asnjëherë pronësi mbi apartament dhe për këtë, kontrata noteriale e tij nuk kishte fuqi ligjore. “Në rastin konkret mungonte titulli i pronësisë mbi sendin, nga ana e N. G., që pretendohet që të jetë dhuruar, pra ai nuk kishte legjitimim për të dhuruar apartamentin për aq kohë sa nuk ishte pronari i tij,” thuhet në shënimin sqarues që shoqëron vendimin.

Po ashtu, KPK thotë se prokurorja nuk e kishte deklaruar në vite faktin që jetonte në një apartament në pronësi të dikujt tjetër, siç ishte e detyruar nga ligji. KPK thotë se nga dokumentet rezultonte që kontrata e energjisë dhe e ujit të apartamentit ishin në emër të bashkëshortit të Gashit, Dritan Gina, por kjo nuk ishte deklaruar më herët nga çifti në deklaratat periodike.

Përndryshe nga pretendimi i Gashit për pasuri të dhuruar nga babai, KPK-së i rezulton në dokumente se pasuria ishte paguar prej tyre dhe se ata nuk kishin mundësi finaciare për të bërë pagesat. “Veç të tjerash, në këtë drejtim të çon edhe fakti që sipas kontratës së shitblerjes së datës 12 nëntor 2013, pagesa në fjalë rezulton të jetë bërë në vitin 2013 nga vetë subjekti i rivlerësimit dhe nga bashkëshorti i saj,” thuhet në vendimin e zbardhur.

KPK po ashtu bëri analizë finaciare të të ardhurave të subjektit dhe arriti në përfundimin se çifti nuk mund të paguante blerjen e apartamenteve me burim të ligjshëm financiar. KPK thotë se edhe nëse nuk përfshiheshin apartamentet, çifti kishte probleme me justifikimin e të ardhurave, kursimeve dhe shpenzimeve në vite.

Për të vërtetuar pretendimet e Gashit, Komisioni thotë se hetoi edhe mbi pasurinë e babait, nga e cila rezultoi se ai nuk e kishte pasur mundësinë financiare që të blinte këtë apartament apo ta paguante atë. Nga analiza financiare e aktivitetit tregtar të babait të Gashit, KPK thotë se prej vitit 1990 deri në 2016 ai rezultonte me minus për 85.7 milionë lekë dhe se nuk kishte pasur mundësi të financonte apartamentin e të bijës. Po ashtu, KPK gjeti se ai kishte kërkuar në gjykatë mbyllje aktiviteti në vitet 2005-2006 duke deklaruar se ishte “jo rentabël”.

Në konkluzion KPK thotë se bazuar në pasuritë e ligjshme të deklaruara për “periudhën kohore, 2004 – 2016, (babai i Gashit) ka pasur një mungesë të theksuar burimesh financiare për të justifikuar shpenzimet e kryera ndër vite”.

Please follow and like us: