Albspirit

Media/News/Publishing

Shuhet në një klinikë në Itali njëri nga mosketjerët e parodistëve të Vlorës, aktori brilant Muhamet Liko

Shuhet në një klinikë në Itali njëri nga moskëtjerët e parodistëve të Vlorës, aktori brilant Muhamet Liko.

Muhamet Liko kishte vite që vuante nga zemra e tij e plagosur dhe kishte bërë disa ndërhyrje në Itali ku jeton prej vitesh djali i tij. Dy ditë më parë ai udhëtoi drejtë Italisë për kontrollin e programuar i shoqëruar nga gruaja e tij Zhaneta. Do të qëndronte në Itali rreth dy muaj për të bërë ekzaminimet dhe ndërhyrjet e nevojshme.

Pikërisht sot ai iu nënshtrua një ndërhyrje tjetër në zemër, por gjatë ndërhyrjes pësoi arrest kardiak. Zemra e tij e lodhur nuk e përballoi dot ndërhyrjen e mëtejshme të mjekëve dhe famozi Muhamet Liko heshti përgjithmonë fizikisht, sepse shpirtërisht ai nuk ka vdekur. Ai doli në dimensionet paranormal dhe sheh dhe dëgjon gjithçka që flitet dhe thuhet për të.

Muhamet Liko lindi në qytetin e Vlorës në vitin 1956. Që në moshë të vogël u dallua për talentin e tij të humorin. Ishte diçka e brendshme dhe të gjithë sa ndodheshin pranë tij do të gajaseshin nga mënyra e interpretimit.

Muhamet Liko u dallua veçanërisht gjatë olimpiadave amatore të qendrave të punës të qytetit të Vlorës, ku si pjesëtar i ndërmarrjes së përpunim drurit do të rrëmbente disa çmime, duke u evidentuar mes të tjerëve.

Ky talent tërhoqi vëmendjen e drejtuesve dhe regjisorëve të Estradës Profesioniste të qytetit të Vlorës, të cilët do ta thërrisnin në gjirin e tyre krahas gjigantëve të tjerë të humorit si Leka Kruta, Myqerem Ferra, Qirjako Sava, të cilët e inkuadruan Metin në kompleksin simpatik të parodistëve së bashku me tre të mëdhenjtë e tjerë të këtij skuadroni brilant si Agron Hamo, Afrim Agalliu dhe Mane Lumani.

Dhjetëra role me estradën profesioniste të Vlorës, dhjetëra parodi njëra më e bukur se tjetra, dhjetëra turne nëpër Shqipëri dhe dhjetëra ture nëpër botë do ta ngrinin në piedestal talentin e lindur Muhamet Liko.

Meti kishte disa kulme gjatë viteve të interpretimit të tij në skenën e Teatrit “Petro Marko” dhe në skenat e tjera brenda dhe jashtë vendit, por njëri nga rolet dhe interpretimet e papërsëritshëm të tij do të mbetet i stampuar kudo në çdo memorie spektatori, në çdo celuloid televizioni dhe në çdo faqe internet dhe ky është interpretimi i tij i monologut famoz “Agai dhe qypi me mjaltë”. Shkalla e vështirësisë së këtij interpretimi arrinte kulmin e talentit që një aktor mund të arrijë gjatë karrierës së tij artistike.

Muhamet Liko mbante disa urdhra e medalje të akorduara nga Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Bashkisë Vlorë. Ai mban Urdhrin “Naim Frashëri i Artë dhe titullin “Mjeshtër i Madh” Akorduar nga Presidenti i Republikës si dhe është “Qytetar Nderi i Vlorës” akorduar nga Këshilli i Bashkisë Vlorë.

Me largimin e parakohshëm nga jeta të famozit Muhamet Liko familja humbi njeriun e saj më të dashur, skenës së Teatrit “Petro Marko” iu këput një Yll, miqve dhe shokëve iu largua një motiv, botës së artit iu këput një këmbë mali.

Lamtumirë i dashur Meti, ylli yt u ndez në kupën e qiellit për mos u shuar kurrë.

Please follow and like us: