Albspirit

Media/News/Publishing

Si ta lexojmë Ambasadorin Cutillo?

Koço Kokëdhima

Ajo që kërkon PD nga ambasadorët në Tiranë më së paku duket e paqartë. Ky ishte konkluzioni i analizës së gazetarit afër të djathtës Çim Peka. Kërkesa “Rama ik” gjithnjë ka qenë e pashoqëruar me një platformë për daljen përfundimtare nga kriza. Si propozuese e Paktit Kombëtar për zgjidhjen e krizës, partia ‘Zgjidhja’ ndihet e lehtësuar që tezat kryesore të programit të saj, si nevoja për ndryshimin rrënjësor të sistemit politik, në veçanti të atij zgjedhor, janë përqafuar nga inteligjenca dhe shoqëria civile, artikulohen nga parti politike, grupe interesi e deputetë të ndryshëm, por edhe nga disa diplomatë. Nga ana tjetër, megjithëse Partia “Zgjidhja” u bashkua me bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, PD ka qëndruar indiferente duke mos e përfshirë në agjendën e saj diskutimin e këtij Pakti të propozuar. Kjo tregon edhe një herë se PD ashtu si Qeveria nuk ka asnjë plan, asnjë projekt, as vizion dhe as vullnet për të zgjidhur krizën.

Sot, nga Shkodra, Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo, deklaroi: “Në Shqipëri kemi mbërritur në një situatë komplekse ku disa parti që, të paktën në dukje, kanë mbështetje të fortë politike, kanë vendosur të mos futen në zgjedhje. Në këtë pikë rregullat kanë devijuar, dhe nuk mund të thuhet çfarë është më logjike, të zhvillohen zgjedhje apo të shtyhen, ç’ka do të sillte ndryshime në ligj dhe kushtetutë. Ndryshimi i dytë mund të jetë gjetja e një akordi, e një marrëveshjeje, por në dijeninë time deri tani nuk ka, prandaj të shtysh zgjedhjet pa arritur në një marrëveshje mund të sillte probleme më të mëdha pasi sjell ndryshimin e kushtetutës duke lejuar kështu shtyrjen e vazhdueshme të zgjedhjeve dhe italianët e quajnë “arnë më e keqe se e grisura”, por nuk janë sugjerime që më takojnë mua t’i bëj”.

Zgjidhja e ka shpjeguar vazhdimisht se ne jemi në këtë situatë, sepse të dy palët nuk duan rendin e ligjit dhe zgjedhje të vërteta, as në 30 qershor, as në tetor, as një vit më pas. Ata duan marrëveshje në vend të Kushtetutës dhe të zgjedhjeve. Nëse do të shohim parashtrimin e situatës që u bëhet ndërkombëtarëve nga Basha, renditja është kjo: Lidhjet e politikës me krimin, shitblerja e votave, korrupsioni, kapje e Drejtësisë dhe e gjykatave nga Rama, së fundi i detyruar nga presioni i opinionit, po flet nëpër mitingje edhe për ndryshimin e sistemit politik. Por e ka të fundit në radhë, sepse PD është vetëm për rotacion pushteti. Më keq akoma, banalizohet lufta e saj kur kërkon thjesht ndryshimin e kryeministrave të Rilindjes.

Kjo deklaratë e Ambasadorit të Italisë, Alberto Cutillo, bëhet në një ditë kur disa nga përgjegjësit e krizës, kanë shkuar në Berlin. Lulzim Basha, pas mitingut të fundit, ka udhëtuar për në Gjermani, po ashtu kreu i deputetëve të PS dhe dy ministra. Rama po kërkon që të rinegociojë paktin me Perëndimin, që është shteti ligjor dhe demokracia si kusht për integrimin në BE. Në dukje, ka hallin e “çeljes së negociatave” të BE me Shqipërinë. Basha kërkon një paketë për krizën, ku krahas shtyrjes së zgjedhjeve të futet edhe ribërja e Reformës në Drejtësi, me qëllimin e maskuar, amnistinë për zyrtarët e korruptuar të opozitës dhe të qeverisë. Të mos harrojmë: bojkoti i fundit i parlamentit ka nisur me sherrin për vetingun e politikanëve të propozuar nga pakica, të cilin shumica e rrëzoi pasi e çoi deri në Komisionin e Venecias.

Gjermania duket më e përfshirë në krizën tonë. PD mbështetet te deputetët e CDU, ndërsa PS tek ata të CSU, por edhe tek këshilltarët e afërt të Kancelares Merkel. Por ç’mund të japë Berlini më tepër se sa paketa McAllister Plus? Receta gjermane është bashkëqeverisja PS-PD, që në kushtet shqiptare përkthehet në bashkëvjedhje dhe korrupsion.

Deklarata e sotme e Cutillos i paraprin përpjekjeve miqësore të faktorit italian për të vendosur “paqen” dhe për të shmangur një situatë si ajo vitit ’97.

Me iniciativën dhe negociatat e Komunitetit të Sant’Egidio janë zgjidhur disa nga krizat më kritike në Shqipëri. Vincenzo Paglia, President i Akademisë Papnore të Vatikanit, drejtues i këtij komuniteti është njeriu që uli në bisedime Fatos Nanon dhe Sali Berishën në Trieste në 1992, që çoi në tranzicionin dhe ardhjen në pushtet me zgjedhjet e ’92 të demokratëve. I njëjti faktor negocioi marrëveshjen politike mes Berishës dhe Nanos në vitin 2003. Në rastin e krizës aktuale politike, përveç vizitës së para dy muajsh të priftit katolik Paglia, janë të shpeshta thirrjet e Kishës Katolike për dialog dhe zgjidhjen e krizës si dhe kritikat ndaj vesit të korrupsionit dhe pangopësisë që karakterizon klasën tonë politike.

“Receta” italiane nuk është plotësisht e qartë, por Ambasadori Cutillo referon një marrëveshje të domosdoshme përpara shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Pavarësisht ngjashmërive apo diferencave të “recetave” gjermane e italiane, gjëja më e rëndësishme për ne qëndron gjetkë: A do mundet Shqipëria të bëjë një marrëveshje të madhe dhe historike, një Pakt që do t’i japë fund epokës kur në vend të ligjit këtu sundonte kompromisi PS-PD dhe kur zgjedhjet i ndanin në tavolinë këto dy parti?! Nëse marrëveshja që po gatuhet nga të huajt edhe këtë rradhë nuk do t’i hapë rrugë reformës kushtetuese e zgjedhjeve të barabarta, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, kufizimit të mandateve, depolitizimit të plotë të administratës zgjedhore, reformimit dhe demokratizimit me ligj të partive, rikthimit të sovranitetit të popullit dhe të të drejtave të tij për t’i zgjedhur vetë përfaqësuesit dhe për t’u shprehur me votë të drejtpërdrejtë në referendume etj, kriza vetëm do të shtyhet, ashtu si ka ndodhur më parë, kur liderët e PD-së dhe PS-së janë “licensuar” për pazarin e radhës. Pakti i madh Kombëtar për ndryshimin dhe demokratizimin e sistemit politik e largon edhe Ramën nga kryeministër, ndërsa largimi i Ramës nga kryeministër nuk e zgjidh krizën dhe nuk e përmirëson domosdoshmërisht sistemin! Nga një pazar i rradhës Shqipëria vetëm do të humbasë dhe populli do rezultojë përsëri i përdorur, i shfrytëzuar, i manipuluar dhe i vjedhur. Këtë gjë duhet ta mbajnë parasysh të gjithë shqiptarët dhe të gjithë të huajt që negociojnë krizën dhe ndërmjetësojnë zgjidhjen e saj. Na duhet një Pakt Kombëtar historik, gjithëpërfshirës dhe konsensual për t’i dhënë fund tranzicionit dhe për të ndërtuar demokracinë e vërtetë pluraliste dhe shtetin modern të së drejtës në Shqipëri!

Please follow and like us: