Faleminderit Almira Emiri!
Pianistja e shquar shqiptare, e njohur edhe ndërkombëtarisht, Almira Emiri mbrëmë më 6 Qershor 2019, në Universitetin e Arteve në Tiranë dha një koncert pianistik, që u ndoq nga qindra qytetarë kryeqytetas dhe jo vetëm.
Artistja e njohur vjen këtë herë me mbështetjen e ambasadave të Izraelit dhe Hungarisë në Tiranë, të Ministrisë së Kulturës, të Universitetit të Arteve dhe të disa donatorëve të tjerë. Brenda repertorit të saj për më shumë se një orë, Almira Emiri, që ishte njëheri edhe prezantuese e programit në shqip dhe anglisht, pati një repertor të larmishëm me kompozime të autorëve të njohur ndërkombëtarë, pjesë izraelite e hungareze, si dhe pjesë shqiptare.
Almira Emiri e ka filluar edukimin muzikor në shkollën artistike në Fier, ka fituar në moshën 9-vjeçare konkursin e pianos në Durrës dhe ka realizuar koncertin e parë recital për gati një muaj në Itali.
Nga mosha 12-vjeçare ajo vazhdoi shkallët e arsimimit në Hungari, ku është shpallur disa herë fituese e konkursit ndërkombëtar të pianos. Është diplomuar në Konservatorin “Bela Bartok” dhe ka vijuar më tej në Universitetin “Franz Listz” të Budapestit si dhe në Universitetin e Muzikës në Grac të Austrisë.
Krahas shkollimit dhe kualifikimit Almira ka marrë pjesë në disa konkurse ndërkombëtare ku është vlerësuar me disa çmime, ndërsa është “Master Koncert Pianiste”, “Pedagogji” dhe “Muzikë Dhome”.
Në Grac të Austrisë pianistja Almira Emiri ka themeluar trion e vet “Babameto trio” dhe grupin muzikor “Degustation Pianistic”, ndërsa pak kohë më vonë krijoi “Isralb Duo” dhe grupe të tjera që jepnin shfaqje në Austri, Hungari, Izrael dhe në disa vende të tjera europiane. Megjithatë itinerari i koncerteve si soliste dhe me muzikë dhome shkon edhe në Kroaci, Francë, Gjermani e Zvicër, Portugali e Kosovë dhe natyrisht në vendin e saj të lindjes, në Shqipëri.
Koncerti i mbrëmshëm në Universitetin e Arteve në Tiranë u përmblodh në tri shtylla bazë: “koncerti rus” që bazohet në veprat e kompozitorëve të njohur të Federatës Ruse, “hungarissmo” që mbështetet në veprat e kompozitorëve hungarezë dhe “Isralb fest” që fokusohet në vepra të autorëve nga Izraeli dhe Shqipëria.
Natyrisht dje në Shqipëri ka pasur shumë ngjarje, por nata më e magjishme ishte padyshim ajo e Almira Emirit që interpretoi mjeshtërisht në Universitetin e Arteve disa nga pjesët më të bukura të kompozitorëve të mëdhenj botërorë dhe secili prej nesh ka vetëm një urim: Faleminderit Almira, nja artiste e shquar dhe një emër që bën krenar çdo shqiptar si ambasadore e një lloji të veçantë!
Fotot: Roland Tasho.
https://www.facebook.com/cohen.nila/videos/2311759255588080/