Video/Sadik Bejko në Korçë: Hëna ime!
https://www.facebook.com/lterature/videos/10219346605798316/
Hëna ime
Është një hënë… vetëm me mua. Hëna ime
ndrit netëve të verës, netëve të dimrit
dhe në terr më feks nën lëkurë,
dhe … në kufijtë e pakuptimit.
Në ag më troket butë-butë në ballë,
me gishta të tejdukshëm m’i çel sytë,
fshin natën në fytyrën time të gjumit,
bujt dritën, dritën që s’ka të dytë.
Një hënë që asnjëherë nuk e shoh,
fikur diku në cakun mes gjumit e zgjimit,
po s’është në qiell, në natën time vozit,
vozit edhe lumin e pikëllimit.
Është hëna, vetëm për mua, hëna ime,
me të përbrenda do t’i arrija zgjimet
dhe kur dita nxinte më terr se nata,
edhe përmbys po të humbja nën gërmadha.
1980.