Shqipëria luan mirë, Islanda merr fitoren
Edy Reja provon shijen e humbjes së parë në stolin e Kombëtares shqiptare. Kuqezinjtë kanë humbur në transfertë, në një ndeshje jo të lehtë. Me golin e vetëm të takimit, atë të minutës së 22 nga Johann Berg Gudmundsson, Islanda nxori nga shtëpia pa pikë Shqipërinë. Në ndryshim nga ndeshjet e fundit, Shqipëria e ka nisur këtë takim me shumë grintë dhe dëshirë për të arritur një rezultat pozitiv, në ndeshjen e parë të drejtuar nga italiani Edy Reja. Rastet për kombëtaren shqiptare nuk munguan dhe për t’u veçuar ishte një goditje e minutave të para nga Hysaj. Megjithatë, në momentin më të mirë për kombëtaren tonë, ishte Islanda që arriti të shënojë. Gudmundsson depërtoi bukur në mbrojtjen tonë dhe i vetëm me Berishën nuk e pati të vështirë të kalonte Islandën në avantazh. Përballja me Islandën ishte e treta për Kombëtaren në këto kualifikuese të Euro 2020, me kuqezinjtë që janë në kuotën e 3 pikëve pas fitores me Andorrës e humbjes me Turqinë. Ndeshja e radhës e Kombëtares në këto kualifikuese është ajo që do të luhet në mbrëmjen e 11 qershorit ndaj Moldavisë në ‘Elbasan Arena’.