Albspirit

Media/News/Publishing

Lajçak: Ndryshimi i kufijve çon në luftë

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se shteti i tij e përkrah Kosovën në rrugën evropiane, por që zgjidhja e problemit me Serbinë është vetëm përmes dialogut.

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se mënyra e vetme e zgjidhjes së çështjes Kosoë-Serbi është dialogu, por sipas tij, është taksa ajo që po e pengon një gjë të tillë.

Lajçak ka thënë po ashtu se edhe ndërkombëtarët duhet të zgjidhin këtë problem në mënyrë që dialogu të vazhdojë.

“E vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin është vazhdimi i dialogut dhe për vazhdimin e tij edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë gjithçka për ta rikthyer këtë dialog”, ka deklaruar Lajçak në një intervistë dhënë për televizion shtetëror austriak “ORF”, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, problemi i Kosovës dhe Serbisë nuk është aq i vështirë dhe se ky problem ka zgjidhje më të lehtë dhe nuk është aq i vështirë se sa të ndryshohet emri në rastin e Maqedonisë Veriore.

Megjithatë, ai thekson se bashkësia ndërkombëtare beson në dialog dhe nuk mbështet veprimet më të njëanshme të çdo pale që thyen dialogun.

“Për momentin, ka më pak besim midis partnerëve në dialog, por nuk ka alternativë. Dialogu trajton problemet konkrete, ndihmon në krijimin e besimit dhe në të njëjtën kohë në integrimin evropian”, theksoi Lajçak.

Në këtë intervistë, Lajçak, ka thënë se pavarësisht se Sllovakia është në vendin e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, siç tha ai, shteti i tij, nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën e saj evropiane, transmeton më tutje lajmi.net.

“Ne lejojmë përparimin e Kosovës në rrugën evropiane, Sllovakia ka bashkëpunim të mirë me politikanët e Kosovës. Pozicioni ynë nuk është armiqësor, është një reagim ndaj mënyrës në të cilën shpalli pavarësinë. Sllovakia nuk dëshiron ta kthejë Kosovën në një “vrimë të zezë”, dhe interesi i përbashkët i të gjithëve është që Kosova të ndërtojë standarde evropiane”, u shpreh Lajçak në këtë intervistë.

Ai po ashtu ka thënë se mënyra e vetme për vazhdimin e dialogut dhe për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi, është heqja e taksës.

“Unë kurrë nuk do të pranoj që nëse këto pesë vende e njohin Kosovën, nuk do të ketë më probleme, dhe problemi duhet të zgjidhet përmes dialogut. Hapi i parë është heqja e taksës, e cila e ka tejkaluar dialogun dhe pastaj kërkojmë që të dyja palët të kthehen në dialog dhe se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen”, theksoi Lajçak.

Në këtë intervistë, kreu i diplomacisë austriake ka folur edhe për idenë e korrigjimit të kufijve.

Kur bëhet fjalë për idenë e demarkacionit si një zgjidhje për problemin e Kosovës, Lajçak tha se, mbështetja për bisedimet e ndryshimit të kufirit, pa dialog të vazhdueshëm dhe përmbushjen e marrëveshjeve të arritura, nuk do të ishte serioze nga bashkësia ndërkombëtare.

Sipas tij, ndryshimi i kufirit është shumë i rrezikshëm, dhe ndërtimi i shoqërive multietnike, që është ideja themelore e BE-së, nuk arrihet duke ndryshuar kufijtë, transmeton lajmi.net.

“Është kuti e Pandorës dhe do të ishte një precedent. Nëse duam t’i zgjidhim problemet në të ardhmen, ndryshimi i kufijve mund të çojë në luftë. Duhet ta bëjmë të qartë se nuk duhet të mendojmë për ndryshimin e kufijve, por për ndryshimin e shoqërisë”, theksoi ai.

Lajçak theksoi se një shoqëri multietnike është baza mbi të cilën bazohet BE-ja dhe se nëse u krijua një shoqëri mono-etnike në Ballkan, kjo do të thoshte se BE nuk e perceptonte rajonin si vende evropiane.

Please follow and like us: