Argumentet e Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve
Pesëmbëdhjetë faqe është dekreti i Presidentit të Republikës, për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
“Në zbatim të nenit 92, shkronja “gj”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, për organet e pushtetit vendor, si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë të saj Kushtetuta përcakton se, “Presidenti cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”. Sipas Kushtetutës, pa patur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nuk mund të zhvillohen”, deklaroi Meta, duke iu përgjigjur kështu që në krye deklaratave të kryeministrit Edi Rama se zgjedhjet lokale do të zhvillohen, pavarësisht vendimit të Presidentit.
- Si argument të parë për këtë vendim, Meta përmendi se organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike është baza themeltare e një shoqërie demokratike.
“Në këtë vështrim, realizimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore pa pjesëmarrjen e opozitës është problematike në aspektin demokratik, sepse u pamundëson qytetarëve shqiptarë të zgjedhin midis alternativave konkuruese përfaqësuesit e tyre në nivel vendor”, deklaroi Meta.
Akuza të forta hodhi dhe ndaj qeverisë kur tha se “Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkuron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ përtej afateve ligjore. Kjo gjë tregon qartë së ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është një element shtesë që provon faktin që standardet demokratike të kërkuara për plotësim jo vetëm që nuk mund të përmbushën, por po shkelen në mënyrë flagrante”.
- Së dyti sipas Metës, pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës, dhe aq më tepër kur në më shumë se gjysmën e njësive të qeverisjes vendore është regjistruar vetëm një kandidat, cenon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilën ndërtohet fuksionimi i shtetit të së drejtës.
“Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur”, deklaroi Meta.
- Argumenti i tretë nga presidenti ishte se zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellë si pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues.
“Presidenti i Republikës, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka vënë re se sjellja e aktorëve politike në vend, ka krijuar një klimë të theksuar konflikti që rrezikon stabilitetin e e rendit publik, çka do të përbënte rrezik edhe për vet sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe do të defaktorizonte rolin e vendit tonë si faktor paqe e stabiliteti në rajon. Presidenti i Republikës, ka ndjekur të gjitha protestat zhvilluara nga forcat opozitare, ashtu sikundër ka evidentuar edhe kundërpërgjigjen e mazhorancës nëpërmjet mitingjeve të organizuara prej saj në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë. Të dy palët kanë bërë nxitje për provokime ndaj njera-tjetrës, ku shpesh herë me deklaratat e tyre i ndajnë qytetarët e vendit në dy pjesë duke i vendosur kështu për shkak të bindjeve politike përballë njeri-tjetrit, të gatshëm për të demostruar fuqinë e secilës palë. Pikërisht zhvillimi i protestave dhe i deklarimeve të opozitës si dhe i antimitingjeve apo thirrjeve kërcënuese të mazhorancës nuk japin aspak siguri për zhvillimin e zgjedhjeve, të qeta, të lira, të ndershme, kunkuruese dhe me standarde. Nga ana tjetër në protestat e zhvilluara deri më tani nga opozita, janë vërejtur elementë të dhunës ndaj forcave të rendit, apo ndaj pronës publike, ndërkohë që edhe nga forcat e zbatimit të ligjit, janë përdorur mjete, teknika, dhe në disa raste reagime jo proporcionale. Në kushtet aktuale, anulimi i zgjedhjeve, është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj dhe shtyrja e tyre për në një datë tjetër të dakordësuar mes palëve politike, do të shërbejë si nxitje për dialog për zgjidhjen e krizës që po kërcënon stabilitetin demokratik të vendit.”
- Së katërti, është e vërtetë që aspekt i rëndësishëm i zgjedhjeve është periodiciteti i zhvillimit të tyre. Kjo është e lidhur me mandatin e kufizuar që kanë organet përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore.
“Mirëpo, në rastin e zgjedhjeve lokale, dita e zgjedhjeve, nga pikëpamja kushtetuese, mund të tejkalojë mandatin e organit përfaqësues apo ekzekutiv të njësisë së qeverisjes vendore. Për pasojë, shfuqizimi i dekretit dhe rrjedhimisht dhe anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese”, deklaroi Meta.
- Së pesti, zhvillimi i proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë si për Kuvendin dhe ato për organet e qeverisjes vendore, kanë krijuar historikun e vet, ku nuk mungojnë rastet e preçedentëve të mëparshëm të shtyrjes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, gjithmonë në varësi të rrethanave dhe për të përmbushur një qëllim të ligjshëm.
- Së gjashti, Presidenti i Republikës vlerëson të rëndësishëm faktin që, nga mosrealizimi për arsye kushtetuese të zgjedhjeve brenda afatit ligjor, të mos cenohen interesat e qytetarëve shqiptarë.
Ligji nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, rregullon organizimin dhe funksionimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, si dhe përcakton funksionet, kompetencat, të drejtat dhe detyrat e tyre e të organeve përkatëse. Ndërmjet të tjerave ky ligj parashikon edhe garancinë së qytetarët nuk do të preken në përfitimin e shërbimit ndaj tyre në periudhat tranzitore përgjatë realizimit të proceseve zgjedhore për zgjedhjen e këtyre organeve. Pikërisht këtë garanci e ofron neni 60, pika 4 e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ku parashikon se:
“4. Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”. Kjo nënkupton, se qytetarëve shqiptar i sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve nga njësitë e qeverisjes vendore. Të njëjtin vullnet ka parashikuar ligjvënësi edhe për funksionimin e Këshillave Bashkiak, në këto momente tranzitore. Konkretisht në nenin 53, pika 1 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, parashikohet se; “Këshilli bashkiak ushtron funksionet e tij nga data e konstituimit, sipas nenit 48, të këtij ligji, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës.” Pra referuar këtyre dy dispozitave rezulton e parashikuar me ligj se, nuk krijohet vakum funksional në organet e qeverisjes vendore aktuale, deri në zgjedhjen dhe fillimin nga funksionimi i të zgjedhurve nga zgjedhjet vendore që pritet të zhvillohen në një datë të mëvonshme.
- Së shtati, si President i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike, ai nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj dëmit të jashtëzakonshëm që kriza politike ka shkaktuar e pritet të shkaktojë edhe më shumë në ekonominë e çdo familje shqiptare dhe në mbarë vendin. Ajo ka injektuar pasiguri tek konsumatori, tek bizneset e vogla dhe të mëdha, investitorët vendas dhe të huaj, në turizëm dhe çdo aspekt tjetër të mbarëvajtjes sociale-ekonomike të vendit.
Sipas nenit 88 pika 3 e Kushtetutës, Presidenti i Republikës i shërben interesit të përgjithshëm dhe përparimit. Kriza dhe tejzgjatja e saj do ta dëmtonte edhe më shumë interesin e përgjithshëm ekonomik të vendit, të ardhurat familjare dhe do të cënonte përparimin për një zhvillim të qëndrueshëm kaq të domosdoshëm për vendin. Ndaj në të mirë të çdo familje dhe mbarë shoqërisë sonë, kërkohet reflektim, maturi, bashkëpunim dhe rikthim të normalitetit. Pikërisht edhe për këto arsye, Kreu i Shtetit, ka vendosur që të ndërhyrjë me qëllim që kjo krizë të marrë një zgjidhje, dhe jo të thellohet pa mbarim pasi për nga pasojat që do të sillte, do të ishte e pallogaritshme për familjet shqiptare dhe ekonominë e vendit.
- Zhvillimi i zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, do të shënonte ngrirjen e progresit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së në vitin 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore.