Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Llapaj: Diktatorët i mbajnë në këmbë individë dhe një shoqëri që vesin e shet për virtyt

Image result for bujar llapaj

Diktatorët i mbajnë në këmbë individë dhe një shoqëri që vesin e shet për virtyt.

Një rrëfenjë personale:
Në vitin e largët 1986 unë isha shef i katedrës të dirigjentëve dhe këngëtarëve. Në gusht të atij viti Ramiz Alia nga Pogradeci kishte hapur fushatën për “luftën kundër mediokritetit” dhe si zakonisht në atë kohë, por fatkeqësisht edhe sot, organizatat e partisë nxituan kush të merrte e para flamurin e luftës. Dhe në tetor organizata e partisë së Institutit të Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve, kishte vendosur të “çlironte” ILA-në nga mediokrit dhe në një mbledhje të posaçme kryesia po thërriste në raportim gjithë shefat e katedrave. Më erdhi radha, por nuk e dija se për çfarë bëhej fjalë. Kur hyra aty përballem me një panel si trupë gjykate me anëtarë Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Kristo Jorgji etj, që nuk më kujtohen tani. Fjalën e mori Kristaq Rama duke thënë se: organizata e partisë, në zbatim të porosive të shokut Ramiz ka vendosur të largojë të paaftët dhe mediokrit.Kur ai po fliste unë po vëzhgoja gjithë panelin ku shumica kishin ulur kokën sikur po shkruanin. Dhe, vazhdoi, Rama, nga katedra jote duhet të largohen 3 pedagogë! Kush janë ata? pyes unë. Më tha tre emrat. Me çfarë kriteri jeni mbështetur për të arritur në këtë përfundim, pyes. Ja, më tha, Kristaqi, ti në mbledhjen vjetore të katedrës ke kritikuar X, kurse për dy të tjerët të gjithë e dinë që janë të paaftë.
Përgjigja ime: Sipas kësaj llogjike unë duhet të matem mirë për të kritikuar njeri sepse ju e përdorni si argument për të hequr njerëzit nga puna. Tjetra, unë kam vetëm një vit si shef katedre dhe dy të tjerët që ju përmendni i kam gjetur aty, pra janë punësuar nga ju. A e dinit ju që ata ishin të paaftë? Të më falni por unë nuk firmos për asnjë sepse nuk marr përgjegjësinë të shkatërroj jetën e askujt dhe ju të rrihni gjoksin para partisë. Ja ku i keni çelsat e katedrës mund t’i merrni në çdo kohë. Kaq dhe dola. Asnjë nuk iku nga puna dhe unë qëndrova shef katedre.
Unë nuk isha antikomunist, por i rritur në një familje të varfër por shumë të ndershme, ku morali komunist ndeshej me realitetin “verbues”, gjithmonë kam dyshuar tek “revolucionarët” dhe “flamurtarët” e paplotësuar profesionalisht, aq më keq kur jeta e tyre është e mbushur me vese, intriga, imoralitet, etj.

Please follow and like us: