Albspirit

Media/News/Publishing

Haradinaj: President Clinton, jeni në shtëpinë tuaj!

-“Spastrimi etnik dhe trenat e vdekjes u ndalën nga ju z. President”, tha kryeministri i Kosovës, Haradinaj/

-Në këtë përvjetor, Kosova është një vlerë e re në rajon dhe sjellë paqe për të gjithë/

PRISHTINË, 12 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/  “Spastrimi etnik dhe trenat e vdekjes u ndalën nga ju z. President”, tha sot në Prishtinë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalimit në tubimin qendror për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, ku kështu i drejtohej presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton, pjesëmarrës në festë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se, dita e sotme i ngjason, jo qershorit, por verës ’99 kur janë bashkuar të lirë në Kosovë, në këtë shesh, ku ka qenë kënaqësi të ecësh lirshëm, pas gjitha vuajtjeve që i ka kaluar populli i Kosovës.

Duke përshëndetur familjarët e të rënëve për liri, të heronjve, dëshmorëve, martirëve, kryeministri Haradinaj tha se për shumë kohë populli i Kosovës e ka kërkuar lirinë, duke u flijuar e vuajtur breza të shumtë.

“Populli i Kosovës e priste nga zoti ndihmën. Bijtë dhe bijat e këtij populli qëndronin me popullin, qëndronin Jasharajt dhe plot luftëtarë të lirisë. UÇK qëndroi me popullin. Spastrimi etnik dhe trenat e vdekjes u ndalën nga ju z. President”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ai me avionët e jetës ndalën trenat e vdekjes dhe spastrimin etnik dhe sot një popull i rilindur e falënderon përjetë dhe për këtë populli i Kosovës i takon botës së tij, botës së popujve të lirë, që udhëheqë Amerika.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij në këtë përvjetor tha se Kosova është një vlerë e re në rajon dhe sjellë paqe për të gjithë dhe se sot Kosova është atdheu i të gjithëve që jetojnë këtu, i shqiptarëve shumicë dhe komuniteteve të Kosovës, serbëve, turqve, romëve, ashkalive, goranëve, egjiptasve, boshnjakëve, kroatëve, malazezëve.

“Paqen e bëjnë të guximshmit e ne guxojmë të pajtohemi me Serbinë. Populli jonë guxon të pajtohet me Serbinë dhe i bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe presidentit Vuçiq që ta njohë Kosovën si të pavarur në kufijtë e vet”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se duhet të punohet më shumë dhe të fokusohen të gjithë në vende të punës për qytetarët e Kosovës, të fokusohen në mundësinë për jetë, në qeverisje më të mirë, në luftimin e korrupsionit dhe në forcimin e rendit dhe ligjit dhe në mënyrë që brezave të tjerë t’ua lënë lirinë, respektin dhe jo luftën për territore e kufij.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e gatshme të pajtohet dhe për këtë i bën thirrje Serbisë dhe këtë e bën në falënderim të ndihmës që ia ka dhënë Kosovës Bashkësia Ndërkombëtare në atë kohë për humanizëm.

“President Clinton, jeni në shtëpinë tuaj. Babai im i ka thënë këto fjalë çdo herë për mikun, që është në shtëpinë e vet dhe këtë e ka dëgjuar ndër breza. Pra, të gjithë jemi në shtëpinë tonë. Zoti e bekoftë Kosovën, zoti i bekoftë aleatët e Kosovës, të prirë nga Amerika”, tha kryeministri Haradinaj.

Please follow and like us: