Deputeti gjerman: Shitblerja e votës nuk justifikon bojkotin e parlamentit
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Gjerman, Manuel Sarrazin, (Të Gjelbrit) mendon se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave
Sarrazin tha se Kancelarja Merkel nuk është shprehur ende pozitivisht ose negativisht në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe se vendimi për të votuar mbi Shqipërinë do të bëhet në shtator sepse kërkohet kohë për tu koordinuar.
Deputeti gjerman foli edhe për përgjimet që publikoi gazeta ‘Bild’ dhe implikimet që sollën ato në politikën e brendshme gjermane. Sipas Sarrazin përgjimet nuk do të luajnë rol në vendimin e Bundestagut pasi deputetët janë të informuar për gjendjen në Shqipëri. Ai thotë se koha kur u publikuan këto përgjime të lë të mendosh se ka një prapavijë politike e gjithë ngjarja.
“Jo,nuk besoj se luan ndonjë rol te deputetët e informuar. Këto regjistrime nuk janë të reja. Ky debat ka kohë që është shfaqur në tablonë e politikës së brendshme të Shqipërisë. Natyrisht që këto akuza kishin mbërritur deri te ne. Por unë deri tani nuk kam qenë në gjendje të verifikoj, se a përputhen ato me realitetin. Veç kësaj, unë mendoj se raporti në gazetën “Bild” nuk të jep përshtypjen se është marrë si duhet me verifikimin e të dhënave. Gjithashtu unë u çudita shumë se përse pikërisht në këtë moment kur do të merren vendimet në qeverinë federale dhe në parlamentin gjerman, gazeta “Bild” shkon e boton këtë raportim kaq të njëanshëm. Dhe kjo të lë përshtypjen se ka patur një funksion politik” tha Sarrazin.
Në lidhje me mos veprimin e prokurorisë për këtë çështje Sarrazin u tërhoq nga një përgjigje e drejtpërdrejtë duke thënë se kjo është një detyrë e organeve shqiptare. Ai shtoi se edhe nëqoftëse mund të ketë patur shit blerje votash kjo gjë nuk ka ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ky fenomen tha ai është i përhapur në të gjithë rajonin e Ballkanit. Prandaj edhe opozita nuk mund të justifikohet në bojkotin që i ka bërë parlamentit. Megjithëse u shpreh se ishte i informuar për gjendjen në Shqipëri, Sarrazin tha se nuk kishte dëgjuar që kryebashkiaku i Durrësit kishte kontakte me njerëz të botës së krimit.
“Si deputet gjerman unë nuk mund të them më shumë se kaq. Siç e dini, ne në kuadër të procesit të integrimit në BE, parashtrojmë edhe kërkesat tona ndaj qeverisë shqiptare ndaj funksionimit të gjyqësorit, organizimit të prokurorisë, ndërtimi i njësive speciale antikorrupsion, por unë si deputet nuk mund t’i jap udhëzime prokurorisë së Shqipërisë. Ne sigurisht që dëshirojmë që organet shqiptare të vijojnë me zbardhjen e çështjes dhe kjo të merret seriozisht. Nëse rezulton se ka pasur shitblerje votash, atëherë duhet të mbahet përgjegjësi. Por dëshiroj të them edhe diçka tjetër se çështja e shitblerjes së votave nuk është një fenomen vetëm shqiptar, ajo vihet re në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Unë nuk kam përshtypjen se shitblerja e votave është bërë në atë masë sa të ketë influencuar raportet shumicë-pakicë në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, nuk besoj se kjo e justifikon bojkotimin e parlamentit apo vë në pikëpyetje ligjshmërinë e parlamentit shqiptar. Natyrisht, se akuzat duhet të merren seriozisht dhe të zbardhen” tha deputeti gjerman.
Bojkoit i opozitës dhe mos pjesëmarrja e tyre në zgjedhje janë të dëmshme për demokracinë në sytë e deputetit nga Hamburgu por sipas tij kjo është më shumë një luftë politike sesa një cëshjte parimesh. Sido që të shkojë kjo ‘luftë e ftohte’ sipas tij Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe i duhen celur negociatat
“Gjithmonë është keq për demokracinë në një vend kur opozita dhe qeveria nuk bien dakord për gjërat themelore dhe kur opozita bojkoton zgjedhjet. Por unë nuk besoj se akuzat e opozitës e justifikojnë bojkotimin e parlamentit dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje. Përshtypja ime është se aty po zhvillohet një lufte e fortë për pushtet mes Ramës dhe Bashës dhe kjo lufte ne këtë gjendje nuk është e aspak e favorshme për vendimin qe duhet te marrin deputetët ne Bundestag. Por, megjithatë, grupet parlamentare Te Gjelbrit, socialdemokratët, liberalët dhe E Majta janë për çeljen e negociatave, pavarësisht se kush do ta fitojë ketë betejë për pushtet, zoti Rama apo zoti Basha. Ne mendojmë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet” tha në fund Sarrazin. /Opinion.al