Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Mosparaqitja e Bashës në prokurori

 

 Image result for prokuroria e pergjithshme

 

Arsyen përse Lulzim Basha nuk shkoi në prokurori, e di vetëm ai. Mendësia e një opozitari të qartë e donte që ai të shkonte. Nëse është i pastër duhet të shkonte. Por edhe nëse ka gisht në përfitimin e ca fondeve me origjinë nga Rusia, prapë duhet ta pohonte. Lubia ruse ka ngatërruar një Amerikë të tërë dhe jo më inteligjencën e ”rilindasëve” shqiptarë. Janë ca çështje ligjore të cilat nëse një forcë si PD nuk ka dy avokatë të aftë që t’i përgjigjen, kot që flasim pastaj. Ndaj paraqitja duhej të ishte potente dhe pa hezitim. Pasi çfarë kërkon opozitarizmi tani nuk është asgjë tjetër veçse një ngritja e një lideri të sinqertë. Një lideri të ri që t’u thotë njerëzve se sa batak ka mbi klasën politike dhe se sa pasinqeritet social. Dhe kjo për fajet e dyanshme që sot e kanë kthyer botën shqiptare në një luftë deklaratash në lidhje me fondet e huaja.

Sipas ligjeve shqiptare përfitimi i parave nga jashtë është i kundraligjshëm. Më vjen mirë nëse kjo ekziston pasi më kujton edhe ligjin amerikan. Por nuk e di, nëse është e kundraligjshme për shqiptarët edhe dalja e fondeve. Se asnjëherë nuk dëgjuam, se a u thirr edhe Edi Rama për dollarët e taksistit Shehu në 2012, vetëm e vetëm për të siguruar një foto me Barack Obamën? Ashtu sikundër edhe Basha pak vite më parë si e si të bënte një foto me Donald Trumpin etj. Kam përshtypjen se njëanshmëria e një institucioni do të shfaqej kur Basha të shkonte në prokurori, jo me deklaratat e zëdhënësit të PD-së. Por kjo nuk ndodhi. Dhe një paraqitje e Bashës do e afronte 21 qershorin. Nëse Basha i trembet ndonjë arrestimi, një përpjekje qeveritare për t’u treguar e zellshme karshi shqiptarëve, me pretekstin se po zbaton ligjin dhe sikur kjo të ndodhte, do ta fuqizonte dyfish më shumë atë. Dhe nuk do kish qeli paraburgimi ta mbante më shumë se dy orë!

Por Basha nuk e bëri. Ja përse sot shqiptarët kanë luksin të tmerrohen nga ato që përfitojnë dhe jo nga ato që nxjerrin apo vjedh pushteti aktual. Ndaj një hapje e Bashës karshi institucioneve të vendit do ishte një plus akoma më i madh. Nuk e di se sa vlerë kanë tashmë deklaratat. Dhe nuk e kuptoj këtë përfshirjen kaq frontale të Pd-ës në afshin e tyre. Megjithëse është qartësisht e dukshme se këto ditë opozitarizmit dhe në përgjithësi shoqërisë i duhet tashmë një lider i sinqertë. Sepse është koha kur fuqinë e ka sheshi dhe rruga. Përfshirë këtu edhe deklaratat se kush po e çon vendin në një përplasje civile etj. Duken si ca temenara karshi një lideri shtetëror që nuk është asgjë veçse një kufomë politike.

Një pjellë ekxemplare që e përmblodhi qartë ai qytetari devolli me shtëpinë e shembur nga tërmeti, kur tha se erdhi Edi Rama këtu, na premtoi këtë e atë dhe në fund edhe nuse për beqarët. Ka marrë fund Edi Rama. Por duket se vetëm Lulëzim Basha nuk e ka kuptuar 100%. Koha politike, koha e Ramës dhe e lali Erit ka mbaruar. Nuk ka më vend për deklarata se kush e do apo nuk e do dialogun. Se ku ka të drejtë presidenti dhe ku shkel ligjin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Se çfarë do të nxjerri gazeta Bild nesër etj. Se përse Shqipëria nuk futet në Europë etj.

Sidomos kjo puna e Europës që nuk është meritë e një qeverie, e për më tepër e këtij Ramiut. Dhe nuk përse presim që Evropa të rrëzojë Ramën me sikur mosçeljen e negociatave. Nocioni perëndim është koncept blu, frymë blu…, ai rilindas është i thërrimeve që jep sa lindja sa perëndimi. Por shqiptarët nuk duan të shkojnë në Europë për thërrimet, por thjesht se janë pjesë gjenetike e perëndimit. Të shkojnë lirshëm, të hynë e dalin e të shëtisin botën si perëndimorët.

Nuk ka unë në punën e Europës, por front kombëtar. Nuk ka vend për asgjë, por veç për sheshet… dhe lërini ata të lumturit të dështojnë lumturisht në voitimet e tyre. Kohët e mëdha bëhen nga sheshet dhe forca për shtetin e së drejtës dhe ligjit zë fill po aty.

 

 

 

Please follow and like us: