Ndryshimi i Regjimit në Iran, e vetmja zgjidhje për paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme
PMOI/MEK
Për sa i përket sulmeve të regjimit iranian mbi dy anije-cisternat e naftës në Gjirin e Omanit dhe lëshimit të raketave kundër aeroportit Abha në Arabinë Saudite, z. Mohammad Mohaddessin, Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha se “këto veprime vërtetojnë edhe një herë se regjimi i mullahëve mund ta vazhdojë mbijetesën e tij vetëm me anë të represionit ndaj popullit, dhe eksportimit të terrorizmit dhe konfliktit jashtë vendit”.
Mohaddessin theksoi, “Fakti që shpërthimi i anijeve ndodhi në të njëjtën kohë me takimin e [liderit suprem të regjimit iranian Ali] Khamenei me Kryeministrin japonez dhe vetëm dy ditë pas takimit të Ministrit të Jashtëm [të presidentit të regjimit Hassan] Rouhani me Kryeministrin e Jashtëm gjerman tregon se ndërveprimet diplomatike me këtë regjim mesjetar jo vetëm që nuk japin rezultate, por e provokojnë madje regjimin që të bëjë hapa të mëtejshëm për arritjen e qëllimeve të tij terroriste dhe kriminale”.
Mohaddessin vuri në dukje gjithashtu se regjimi iranian i përgjigjet vetëm gjuhës së forcës dhe politikave të rrepta.
Teherani e ka mohuar përfshirjen e tij në këtë sulm, me argumentin se nuk do të ishte logjike të vepronte në këtë mënyrë në të njëjtën kohë me vizitën e kryeministrit japonez në Iran. Lidhur me këtë, Mohaddessin tha, “Ky është një justifikim qesharak nga ana e mullahëve. Ky është po ai regjim që donte të shpërthente një bombë në tubimin e madh të opozitës iraniane në Paris [në 2018-ën] ndërkohë që presidenti i tij ishte në mes të një udhëtimi për në Zvicër e Austri”.
Mohaddessin tha se “sulmi i regjimit mbi anijet civile dhe luftënxitja e tij vërtetojnë edhe një herë se e vetmja mënyrë për të arritur paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme është që populli i Iranit dhe Rezistenca e tyre ta rrëzojnë regjimin dhe të themelojnë lirinë e demokracinë. Çfarëdo tjetër vetëm sa do t’i thellojë e zgjasë krizat dhe konfliktet në rajon”.