Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Rroftë o rroftë, Ed kazani!

Image result for pergjimet e bild

Nuk e di se çfarë është publikuar deri më sot, a janë të mjaftueshme për shqiptarët për të kuptuar se sa poshtërsisht është shpërdoruar sistemi i votës. Se…e frikshme është jo dhuna e sekserëve, jo shitja e votës për 50 mijë lekë etj., por penetrimi i pushtetit dhe atij që ka lekun drejt frymëmarrjes sociale të një vendi.

Nuk e di nëse e bëni dallimin midis përdorimit që i bën pushteti shoqërisë për të kuptuar përfundimisht se sa mish për top e bën vendin një grafoman i dështuar, një politikan pjellë e propagandës. Një shallavarexhi që akoma ju kërcënon duke ju përmendur Amerikën dhe Europën. Ju thotë pa pikë turpi se kush pengon votimet e 30 qershorit, Amerika u bllokon vizat, kurse Europa ua heq.

E para është një matufepsje shallvarexhiu se i nxjerr kallpin vetvetes kur nuk bën dot dallimin midis zgjedhjeve dhe votimeve.

Dhe e dyta, nuk iu mbush mendja akoma se shqiptarët nuk kanë nevojë për viza, nuk i mbajti dot Enver Hoxha me telat me gjemba, jo ky me shallvare.

Shqiptarët i kanë të hapura shtigjet në male, po ashtu edhe gomonet, trailerat, vizat fallco, bashkimet familjare, identitetet e rreme etj. Shqiptarët të gjitha i kanë dhe të gjitha epitetet e mundshme i kanë marrë përsipër. Dhe i kanë pranuar se edhe i kanë merituar: qofshin ato me bojë të zezë, qofshin me bojë floriri. Të gjitha i kanë merituar, veçse qeveritë e vendit të tyre jo, jo…veçmas këtë shllvarexhiun. Megjithatë një gjë duhet të dini botërisht, që ky këtë zanatin e vjedhjes së votës nuk e ka mësuar sot. Dhe a e pyesni veten se kështu mund të ketë marrë e mbajtur edhe bashkinë e Tiranës. Nuk ka si shpjegohet ndryshe. Ne nuk durojmë babain të na qeverisi në shtëpi për një vit, e jo më një qeveritar për 16 e kusur vjet?!

Eshtë pak e çuditshme, por aty janë të gjitha. Dhe nga ana tjetër duhet me i thënë vëllezërve socialistë, mos e ulni kokën…por përbuzeni me të njëjtën forcë që përbuzni Saliun. Ju kanë përdorur deri në asht sa për inat të Saliut u shqyet deri bythësh për një grafoman si ky shallvarexhiu, pa e besuar asnjëherë se një padrino më i keq se i pari nuk po mashtronte vetëm ju për një vend pune, një pension me të mirë a për ca lehtësime rimbursimesh në ilaçe, por një vend të tërë. Ju futi në lojë të tillë që ‘bar të hani’ dhe veç Saliut mos t’i dëgjoni emrin. Dhe jeni gati edhe sikur 50 vjet tjera t’iu shtrydhi, prapë Saliut mos t’i dëgjoni emrin. E kishte zërin të kulluar dhe nuk ishte e vështirë fare për ta njohur. Si tha ai vlonjati i liruar ‘është lyer shkopi me mut nga të dy krahët djema’. Aty e keni dëgjojeni dhe kuptoni se sa shumë jeni përdorur, për të ndjerë edhe përdorimin që i bëjnë prostitutave në semaforët e Europës, premtimi elektoral që ju e prisni si dhuratë nga shallvarexhiu.

Ky rasti i përgjimeve është një lloj skandali që do mbahet mend. Një lloj si skandalet në vende të ndryshme të botës. Më vjen keq që edhe vendi im u bë pjesë e listave të zeza. Ashtu siç më vjen keq që akoma që një i çmendur qeveris dhe psall duke akuzuar shtypin e lirë të një vendi si Gjermania. Por ju e dini, e bënte edhe Enver Hoxha në kohë me Amerikën, BRSS, Kinën dhe vendet fqinje.

Kur të drejtohem ty socialist, dua të të lë të kuptosh se çfarë dëgjon, dëgjoje drejt, pa turp dhe shënoje si bombën më të madhe dhuratë, a greminën ku e katandisi rilindasi-shallvarexhi partinë tënde socialiste. Nuk ka kimikat që t’ia heqi njollën e përgjimeve. Dhe nëse vërtetë Shqipëria do të ishte në shinat e shtetit ligjor, kjo parti do të ishte sot e jashtëligjshme. Në një vend normal do t’i kërkonte ndjesë publike shoqërisë dhe vendi do kish shkuar me kohë në zgjedhje të parakohshme. Por kjo nuk ndodh aty. Megjithatë janë drama të rënies së politikës në përgjithësi, ndaj sot jemi edhe gazi i botës.

Rroftë shallvarexhiu, shakaxhiu i përparimit shqiptar, tifozi i Juves, lideri i rajonit!

Please follow and like us: