Albspirit

Media/News/Publishing

Marrëveshje Shqipëri-Zvicër dhe OSBE-së për të asistuar Parlamentin dhe edukimin civil

Marrëveshje e nënshkruar midis Shqipërisë, Zvicrës dhe OSBE-së për të asistuar Parlamentin dhe edukimin civil

Qeveria e Shqipërisë nënshkroi sot një marrëveshje për zbatimin e një programi mbështetjeje për Parlamentin dhe për përfshirjen e qytetarëve në vendim-marrje. Marrëveshja tripalëshe midis Shqipërisë, Zvicrës dhe OSBE-së siguron punë të përbashkët për përmirësimin e funksioneve të Parlamentit.

Marrëveshja u nënshkrua bashkërisht nga Ambasadori zviceran Adrian Maître, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, dhe Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri  Bernd Borchardt, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, Genc Gjonçaj

“Kjo marrëveshje është pjesë e strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran me Shqipërinë, përsa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike të cilat janë përfaqësuese dhe mirë-funksionuese. Projekti synon të zhvillojë Parlamentin për ta kthyer në një institucion me performancë më të mirë. Projekti ynë është përfshirës për të gjithë aktorët politikë”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.

“Është kënaqësi që arritëm sot nënshkrimin e marrëveshjes për projektin mbi mbështetjen ndaj Kuvendit. Falënderim i veçantë për partnerët tanë në këtë iniciativë, Ambasadën e Zvicrës për kontributin e dhënë dhe OSBE për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pandërprerë  kundrejt Parlamentit Shqiptar”, tha Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka qenë partneri më i afërt i Kuvendit të Shqipërisë dhe i popullit shqiptar përmes sfidave që kanë, dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë teksa ata përballojnë detyrat parësore për një demokraci funksionale”, tha Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt.

Sipas marrëveshjes, puna do të ketë si fokus një administratë parlamentare më efiçiente dhe më efektive, përmirësimin e rolit legjislativ, përfaqësues dhe mbikqyrës të Parlamentit, dhe aktivizimin e qytetarëve në lidhje me Parlamentin. Projekti quhet ‘Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Civil në Shqipëri’ – PACEP – dhe do të sigurojë ekspertizë dhe asistencë me synim përmirësimin e funksionimit të institucionit më të lartë legjislativ në Shqipëri.

Që nga krijimi i saj, Prezenca e OSBE në Shqipëri ka punuar për të promovuar demokratizimin, sundimin e ligjit, dhe të drejtat e njeriut si dhe për të konsoliduar institucionet demokratike në linjë me parimet, standardet dhe përkushtimet e OSBE-së. Mbështetja për Parlamentin konsiderohet si një përpjekje tej-përhkuese dhe tej-programatike në mbështetjen që OSBE i jep Shqipërisë, përfshirë fushat e ligjbërjes, reformën legjislative, procedurat parlamentare dhe forcimi i kapaciteteve, reforma zgjedhore, përfshirja e qytetarëve, barazia gjinore dhe promovimi i qeverisjes vendore.

Projekti i ri është pjesë e Strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran 2018-2021 dhe është hera e parë që mbështetja zvicerane shtrihet edhe për organin legjislativ më të lartë në vend. Financimi vjen nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Please follow and like us: