FEDERATA VATRA: OFROJUNI QYTETARËVE ZGJIDHJE AFATGJATË!
New York, 22 Qershor 2019- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ashtu si mbarë shqiptarët në botë, po ndjek me shqetësim situatën në Shqipëri. Është thellësisht e dhimbshme, që edhe pas afro tre dekadash pluralizëm, sërish evidentohen probleme të thella lidhur me proceset zgjedhore, ndërhyrja në të cilët është tërësisht e dënueshme.
Federata VATRA ka mbajtur në vijimësi qëndrime kritike ndaj sjelljeve politike që janë ndjekur në dëm të konsolidimit të standardeve të demokracisë. Situata e paprecedentë e ditëve të fundit bën më shumë se kurrë evident nevojën e palëve për t’u ulur në bisedime dhe për t’i ofruar popullit një zgjidhje afatgjatë, që do të mund të sigurojë jo vetëm standarded demokratike të vendit, por edhe një paqe dhe unifikim shoqëror. Konflikti civil, i cili po hedh shtat dita-ditës nuk duhet lejuar dhe qeveria ka përgjegjësinë kryesore të gjejë rrugët për shuarjen e tij. Ashpërsimi mosmarrëveshjeve politike shoqërohet fatkeqësisht me dasi të mëdha shoqërore, gjë e cila dëmton objektivat evropiane të vendit.
Federata VATRA mendon se palët do të ulen në tryezën e bisedimeve, duke shpresuar që platforma e bisedimeve do të jetë serioze dhe jo thjesht kalimtare, por ndërkohë shpreh keqardhjen për humbjen e kohës, nga e cila humbet Shqipëria dhe populli.