Albspirit

Media/News/Publishing

Pëllumb Kulla: Mua që më ka mbetur koha…

Mua që më ka mbetur koha….

Gazetar i vjetër, me një pasion po kaq të vjetër për historinë, Roland Qafoku dha dje një intervistë për DITA-n, ku u prekën shumë tema me rastin e mbylljes së një sezoni të ngjeshur të emisionit të tij Debat, në Channel 1. Para pak muajsh, intervista që ai (ashtu si dhe kolegia Rudina Xhunga) i mori Nexhmije Hoxhës ngjalli debat në opinion.

Reagimet nuk munguan nga kudo ku jetojnë shqiptarë, pra edhe nga SHBA. Këtyre të fundit Qafoku u dha një përgjigje më specifike. Edhe pse nuk përmendi emra, publisti dhe autori i njohur i humorit Pëllumb Kulla ishte një ndër ata që nuk e pritën mirë intervistën, ose më saktë, mënyrën e intervistimit të së vesë se liderit komunist, dhe shkroi këtë reagim për Roland Qafokun. 

 

Nga Pëllumb Kulla

Dje në gazetën DITA, Roland Qafoku shprehte një mendim të drejtë që ligji për dekriminalizim të shtrihej dhe mbi gazetarët. U bëftë ashtu! Por mes të tjerash, ai shfaqte përbuzje për ca vërejtje që i janë bërë atij pas intervistimit që i ka bërë ai Nexhmije Hoxhës dhe me shumë gjasa më adresohej mua me fjalët

“… Më vjen po aq keq edhe për komente nga ndonjë shqiptar që jeton në SHBA. Shqiptarë të dashur, më vjen keq tu them se u ka mbetur koha ditën që keni ikur nga Shqipëria. Të këshillosh se kë duhet ta marrësh në intervistë e kë jo, pikërisht ky është mentalitet i vjetër komunist. Shqipëria ka ndryshuar aq shumë sa ju nuk e kuptoni.” (Gazeta Dita online)

Do t’i thoja dy fjalë z.Qafoku, në rast se e ka keqardhjen e tij për pakënaqësinë që kam shprehur unë ndaj intervistës që ai i bëri para ca vjetësh të vesë së diktatorit Hoxha. (Nuk di t’i kenë vajtur vërejtje të tjera që përkëtej oqeanit!).

E pranoj që më ka mbetur ora qëkur kam ikur nga Shqipëria, veçse do të isha i lumtur të më caktonit vitin dhe muajin, se kam bërë shumë ikje dhe ardhje. Unë zakonisht vij atje dy herë në vit dhe thuajse gjysmën e vitit e kaloj atje. Për kënaqësinë tuaj, unë po e përcaktoj vetë, dhe në krahasim me atë që përfytyroni ju, mua ora më ka mbetur edhe shumë vite para se të lindja. Në këtë terren me ju nuk hahem dot.

Lexova me ëndje çka thoshit për staturën e gazetarit dhe bukurinë e gazetarisë investigative, realitetin pozitiv të shndërrimit të individëve me profesione të tjerë në gazetarë, pa kaluar nga fakulteti i llojit, dhe fenomenin e ushtarakëve, që bëhen gazetarë, si rasti juaj që keni bërë shkollë ushtarake dhe ai i amerikanit Pulitzer…

Nexhmije Hoxha gjate intervistes me gazetarin Roland Qafoku

Ju përgëzoj për librin që keni shkruar edhe për qasjen ndaj figurave historike, shkrime që unë nuk i kam lexuar. Unë pata lexuar vetëm atë intervistën që i morët zonjës Hoxha, e cila, dua apo nuk dua unë, është personazh historik, dhe ashtu sikurse Xhungës, ju pat dhënë përgjigje historike e unë për përgjigjet nuk kam vërejtje. Unë vërejtjet i kisha ngaqë pyetjet, – pyetjet tuaja – nuk ishin historike! Unë vazhdoj të kem mendimin, – e prapambetur nga koha, – që personazhit, i cili ka patur peshë në jetët e të tjerëve, i duhen bërë pyetje që i vlojnë përbrenda pjesës më të madhe të popullit dhe jo ato pyetje që i vlojnë përbrenda dhe i ka qejf personazhi historik. Çmoj për këtë Sokol Ballën apo Ilva Taren, për të mos shkuar deri te ndonjë gazetar i huaj familjar tek ne, si Vespa.

Se po të jetë se nuk ndodh kjo që thashë, atëherë intervista nuk ka asgjë historike dhe ca më pak investigative. Uroj që në intervistat me të tjerë që përmendët të keni qenë vërtet në staturën e gazetarit, sepse në atë me Nexhmijen, ende kishit mbetur ushtarak!

Please follow and like us: