Ilir Levonja: As Zoti nuk e shpëton më Edi Ramën!
Eshtë logjika më idiote ajo që vlon studiove mbi precedentin dhe faktin e shmangies nga skandali i përgjimeve. Askush nuk do ta kuptoj se ajo që e çoi opozitën në heqjen dorë nga mandati qe pikërisht prova që ajo donte t’u jepte shqiptarëve mbi vjedhjen e zgjedhjeve, prishja e balancës së ndarjes së pushtetit dhe kapjen e shtetit nga krimi. Dhe ishte më se e logjikshme pavarësisht habisë gjoja kristalinë të ca manekinëve që kurrë nuk duan ta kuptojnë se politika është sfidë, madje me pengje të forta. Opozitën krimi e ka kërcënuar publikisht, nga dyert e gjykatave pas skandaleve me rrëmbime në dhoma motelesh, a histori me drogë dhe grupe pranë kryetarësh bashkish. Këto janë evidente dhe mjaftueshëm për t’u indinjuar apo braktisjen e një mandati nul për të bërë punë të vlefshme në demokraci. Kaq, të tjerat janë gjepura mbi precedentin. Apo me histori nga e kaluara se si i vidhte PD-ja dikur zgjedhjet në iks katund apo provincë ku vetëm era mbretëron.
Eshtë fare e thjesht, nëse edhe ministrat a kryetarët e bashkive të pd-ës kapen me presh në duar si këta të rilindjes, ps-ja ka të drejtën legjitime të djegi jo mandate por edhe kuvendin. Mirëpo nuk është kjo në fakt e keqja e ardhmërisë së Shqipërisë. Eshtë pikërisht kjo idiotësia e interpretimeve pa fund mbi precedentin, si e qysh, ai apo ky, duke harruar faktin që na solli këtu, vjedhjen dhe qenien në pushtetin e krimit. Përkrah Edi Ramës sot, Shqipëria ka një shpurë gjoja intelektualësh që nuk shohin asgjë, por xhelin e Lulzim Bashës dhe emrin nocion a indeks, Sali Berisha. Kjo është një marrëzi vrastare që shpesh ka shoqëruar çdo shef qeverie, aq sa nuk është aspak e rastit që një komisioner zgjedhor a një gjykatës kolegji flet si president a si kryeministër.
Eshtë skandaloze kur një ministër i brendshëm, në detyrë i thotë gazetarit se dosja e përgjimit duhet të çohet në prokurori që kjo e fundit të ngrejë akuzat. Eshtë skandaloze sepse ato nga prokuroria dolën, megjithatë asnjë nga ata që kanë marrë rrogën nuk rezulton që për dëmin e shkaktuar, e para, duke marrë rrogën dhe e dyta, duke mos kryer detyrën, nuk rezultojnë me ndonjë masë administrative, vazhdojnë punën të qetë.
Dhe për më zi as që përfliten fare se janë po aq të dëmshëm sa qelbësirat. Dhe akoma më zi që kreu i komisionit të ligjeve jo vetëm që vazhdon detyrën, por me 120 kilometër në orë mbledh firma për të shkarkuar presidentin. Eshtë ai që fliste me q dhe me k, e që, kishte prespektivë të garantuar për poste më të larta për këta tipat me q e me k. Janë një shpurë e tërë të pafytyrësh që mirë shqiptarëve ua kanë marrë dorën për t’i mashtruar, por fëmijëve, familjeve të tyre si u përgjigjen? Që këtu ka vdekur perspektiva.
Ndaj debatet në studio mbi fatin e opozitës, precedentin, e të tjera janë humbje kohe. Ne sot Shqipërinë duhet ta ruajnë nga papërgjeshmëria morale. Një i vetëm nuk doli e të thotë, po jam unë. Dhe nuk e di se si ua shohin sytë, si pranoni t’ju drejtojnë. Por ta dini, si këta dhe Edi Ramën që bën fushatë edhe në kisha, as Zoti nuk e mbron më. As ju, jo e jo…, janë ca papërgjeshmëri sociale që Ai nuk t’i fal, është ajo kohë e pashmangshme e theqafjes. Dhe nuk ka më kthim mbrapa. Kurse opozitës vetëm sa për kujtesë, nuk ka negociata me krimin, me Ed evlatin, kjo është arsyeja që edhe sheshet janë plot. Kaq dhe popullojeni burgjet se e ka vendi të domosdoshëm një katarsis social.