Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e kreut të Gjykatës së Lartë
Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ka dalë këtë të martë para Komisionit të Posaçëm të Apelimit, ku do të vlerësohet konfirmimi ose jo në detyrë i tij. Ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që në gusht të vitit të kaluar u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. “Pasi vlerësoi edhe rekomandimin përkatës nga tre vëzhguesit e ONM, ankimuam vendimin e KPK që konfirmonte në detyrë Zaganjorin. Komisioneri Publik arrin në konkluzionin se KPK është mbështetur në arsyetime dhe qëndrime jo të sakta, lidhur me zbatimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjeve”, tha Komisioneri Florian Ballhysa gjatë seancës, duke shtuar se ka probleme në deklarimin e pasurisë. “Vlera në lekë për këto pasuri e deklaruar në 2003-shin dhe vlerë në lek në deklarimin e tij rezulton si në vijim: Për apartamentin në 2003 vlera është 7 milionë e 400 mijë lek, ndërsa në deklarimin e tij vlera është 5 milionë e 800 mijë lekë. Me një diferencë prej 1,6 milionë lekë. Për bibliotekën, në 2003-shin vlera në lek është 1,8 milionë lekë, ndërsa në deklaratën e tij ajo rezulton 1,4 milionë lek, etj. Në total vlera e pasurive të tij në deklaratën vjetore të viti 2003 është deklaruar 10 milionë e 700 mijë lekë, ndërsa në deklaratën e tij është deklaruar 8 milionë e 400 mijë lek. Lidhur me pasaktësitë në vlerat e deklaruar konstatuam se për apartamentin në 2003-shin, subjekti i vlerësimit vlerëson se diferenca është pasaktësi për mos përfshirjen e arredimit me vlerë 1,6 milionë lekë”.