Reshat Kripa: Deri kur do të na udhëheqin rrugaçët!
Para syve më dalin vargjet e mrekullueshme të Vaso Pashë Shkodranit:
“O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë nji zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë”.
Dhe më poshtë:
“Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe”
Më dalin këto vargje dhe ndër mend më lind pyetja: Mos vallë poeti i ka shkruar për ditët e sotme?
Më lind pyetja, pasi konstatoj se, me të vërtetë, Shqipëria ka rënë “me krye n’hi”, apo “sikur lisi i rrxuem përdhe”. Nuk e di çfarë mendimi keni ju të nderuar lexues, por unë i qëndroj mendimit tim dhe këtë dua t’jua vërtetoj. A keni dëgjuar ndonjëherë në historinë e Shqipërisë që burrat e shtetit që drejtojnë vendin të përdorin një fjalor banal që vetëm rrugaçët e përdorin? A keni dëgjuar ndonjëherë që personalitetet e shquara botërore të përdorin fjalor të tillë? Janë zhvilluar shumë zgjedhje lokale apo parlamentare, janë ndërruar disa qeveri, qofshin të djathta apo të majta, madje as edhe qeveritë e periudhës totalitare, nuk kanë përdorur të tillë fjalor.
Përgjimet e publikuara nga gazeta prestigjioze gjermane “Billd”, treguan jo vetëm demagogjinë politike të disa prej drejtuesve të sotëm por, më tepër, karakterin e tyre moral të shthurur që e ul personalitetin e tyre në nivelet më të ulta të shoqërisë shqiptare, në nivelet e llumit të kësaj shoqërie, ku në krye të tyre ndodhet një anarshist i pa parë ndonjëherë në vendin tonë që po e shpie vendin në humnerën më të thellë të historisë së tij. Më lejoni t’ju rreshtoj disa shembuj nga shprehjet banale të bëra nga këto monstra. Më falni të nderuar lexues për këto që do të shkruaj, pasi edukata ime nuk ma lejon, por nuk kam rrugë tjetër, jam i detyruar t’i shkruaj:
1. Damian Gjiknuri, ish- ministri i Infrastrukturës, deputet i Kuvendit të Shqipërisë:: “Tërmet i q…nanën”, “I q… robtë”.
2. Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë: “Edhe mos e rruaj k… ça thonë ata legena”.
3. Xhemal Qefalia, Anëtari i Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë: “Po unë të kam shokun tim, moe rruj k…” .
4. Shefi i policisë Dibër: “Mo, mirë, po si ma nxjerr ministrin ashtu në telefon, o k…” .
5. Imer Lala, sipas “Bild”, bos i mafies: “ O ja q… robt e shpisë”, “Më tha edhe Hasan Begu diç, shife njëherë atë m…, tha”, “O ja q…motrën”. Këta janë drejtuesit e shtetit te sotëm. Këta janë ekzemplarët e shthurrjes morale. Por ç’është më e rëndesishmja këta tipa vulgarë ekzistojnë sepse kanë në krye një anarshist të cilit nuk i bëjnë përshtypje vulgaritetet e tyre , pasi edhe vetë ai është vulgar si këta. Një filozof i shquar ka thënë: “Nëqoftëse në një shtet vihet në krye një anarshist, atëhere vendi i tij shndërrohet në një anarshi që nuk është parë kurrë më parë në asnjë vend të botës”.
Në këtë gjendje ndodhte sot Shqipëria e jonë. Në këtë gjendje e kanë katandisur drejtuesit e sotëm te shtetit shqiptar dhe kjo për arsyen e thjeshtë se kryeministri i vendit është një nga ata. Në të kundërt ai do të alarmohej kur të dëgjonte shprehje të tilla.. Por kjo nuk mund të ndodhë pasi edhe ai është i të njejtit brumë.
Dua t’ju drejtohem këtyre ekzemplarëve:
– A nuk u vjen rëndë, së paku, nga prindërit, fëmijtë dhe pjestarët e tjerë të familjeve tuaja kur përdorni të tillë fjalor? A po, mos vallë, edhe ata kënaqen me banalitetet tuaja pasi edhe ata jane i një brumi me ju? Atëhere mjerë ky vend!
Por, a duhet të lejojmë që në krye të vendit të kemi të tillë individë pa moral që të na drejtojnë? Shqiptari nuk mund ta pranojë kurrë një gjë të tillë. Karakterin e tij tashmë e njeh gjithë bota mbarë. Ai është ngritur dhe do të luftojë deri sa në vend të vendoset demokracia e vërtetë europiane.
Në mbyllje më lejoni t’ju sjell dy vargje nga i pavdekshmi poeti Ali Asllani, që më duket sikur edhe ato janë shkruar pikërisht për ditët tona:
“Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve”!
Gazeta “Telegraf”, 25 qershor 2019