Albspirit

Media/News/Publishing

O ZOT, KY ËSHTË VENDI YNË, NA NDIHMO!

Frank Shkreli

Të dielën që kaloi ishte për një vizitë në Nju Jork, Shkëlqesia e tij, Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëvi i Rrëshenit, në Mirditë. Me këtë rast ai celebroi një meshë solemne në Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shokdrës” në Scarsdale të Nju Jorkut më 23 qershor. Megjithëse larg nga Shqipëria, shqiptarët kudo, përfshirë edhe ne këtu në Shtetet e Bashkuara, nuk mund të anashkalojmë dhe as të injorojmë krizën politike që klasa politike aktuale ka pllakosur Atdheun tonë të origjinës — Shqipërinë tonë të dashur.  Siç dihet, kohët e fundit, përfaqsuesit më të lartë të komuniteteve fetare kryesore në Shqipëri u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë të vendit që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për ta nxjerrë vendin nga kriza politike aktuale, në të cilën e kanë hedhur Shqipërinë.  Është kjo një krizë që ka marrë përmasa të mëdha, përfundimi i të cilës është i paparashikueshëm, me pasoja afatgjata negative për jo vetëm për Shqipërinë por për mbarë Kombin.

Në fillim të meshës, Imzot Meta njoftoi se 23 qershorin, në Shqipëri e udhëheqësit e lartë të Kishës Katolike shqiptare e kishin shpallur, të dielën që kaloi “Një ditë të veçantë lutjesh, në të gjitha kishat dhe dioqezet, për situatën e vështirë që po kalon vendi ynë, Shqipëria”, duke shtuar se të gjitha famullitë janë të angazhuara për këtë lutje të posaçme. Prandaj, tha ai, dëshironte që nga kjo nismë të mos përjashtohej as kjo kishë por të përfshihej edhe famullia e shqiptarëve në Nju Jork, Kisha Katolike Shqiptare në këtë shtet, “Zoja e Shkodrës”, që me këtë rast të lutemi, theksoi ai, për vendin tonë, Shqipërinë: “Që Zoti t’ua ndritë mendjen atyre që kanë përgjegjësi politike, që të lënë menjëanë interesat e tyre të veçanta apo interesat e partisë së tyre dhe të shikojnë interesat e popullit tonë”. Ajo që mund të bëjmë ne, theksoi Imzot Gjergj Meta, është t’i lutemi Zotit që këtë punë ta bejmë mirë edhe me këmbëngulje, e t’i lutemi Zotit që të dërgojë Shpirtin e Shenjtë tek ata njerëz që kanë përgjegjësi.

Duke iu referuar, “situatës nëpër të cilën po kalon vendi ynë”, Ipeshkvi i Rrëshenit, në predikimin e tij në Kishën Zoja e Shkodrës në Nju Jork të djelën që kaloi, u tha besimtarëve katolikë shqiptarë se, “Sigurisht që Zoti na ka dhënë shumë gjëra të bukura në vendin tonë.  Na ka dhënë natyrën, na ka dhënë traditën, na ka dhënë shumë njerëz, na ka dhënë inteligjencën.  Është vështirë me gjetë një popull kaq inteligjent, por inteligjenca nuk është gjithmonë shenjë e mençurisë. Të jeshë inteligjent, të jeshë i zgjuet e të jeshë i mençur, janë dy gjëra të ndryshme. Të zgjuar të bën Zoti, i mençur behesh vet.  Shpeshëherë, kjo mençuri na ka munguar e po na mungon edhe sot e kësaj dite.  Si është e mundur që edhe sot të rinjë e të reja, familje, duan të ikin nga Shqipëria. Edhe ju jeni një pjesë të ikur nga Shqipëria edhe pse zemrën e mendjen e keni të gjithë atje, sigurisht! Shqiptarët kanë ikur nga Shqipëria vetëm për dy motive, vetëm për dy shkaqe. Ose kur i kanë detyruar vet shqiptarët për të ikur,  siç ishte rasti gjatë regjimit të Enver Hoxhës kur i detyroi të iknin sepse nuk kishin vend me ndejtë atje, ose sepse nuk i kanë gjetur kushtet për të jetuar në Shqipëri.  Shqiptarët nuk e kanë lënë Shqipërinë në kohën e Turkut, nuk e kanë lënë në kohën e fashizmit, nuk e kanë lënë vendin — në momentet më të vështira nuk e kanë lënë Shqipërinë — por në momentet e paqës e momentet më të qeta, fatkeqsisht e kanë lënë.  Kjo është një tragjedi e madhe”.

Por në një notë optimiste ai tha në mbarim të predikimit se megjithatë, “Shqipëria është si puna e një trupi. Mund t’i heqësh gjak, por trupi ripërtrihet prap se gjaku e ka këtë aftësi të ripërtrihet. Edhe Shqipëria do të ripërtrihet, por për këtë ka nevojë shumë që ne, të gjithë së bashku të japim një kontribut për vendin tonë.  Kontributi më i madh është afërsia shipërtërore.  Ajo që mund të bëjmë ne meshtarët, ipeshkvijtë dhe ne katolikët, është t’i lutemi Zotit”, për Atdheun tonë në këtë kohë të vështirë, ka thënë Imzot Gjergj Meta.

“Prandaj edhe ipeshkvijtë kanë marrë këtë vendim”, që të lutemi për Shqipërinë në këtë moment, tha ai. “Ne nuk jemi politikanë, ne nuk mund të bëjmë zgjedhje politike, ne nuk mund tu themi se çfarë t’u bëjmë atyre.  Por ne mund të bëjmë një gjë.  Ne mund të lutemi, mund të lutemi për vendin tonë.  Çka ka më të bukur se sa me ia paraqitur vendin tonë, Zotit?  Të themi: O Zot ky është vendi ynë, na ndihmo! Me të mira e me të këqia, ky është vendi ynë. Bën që ai vend atje të jetë i qetë, të jetë i paqë, që djemt e vajzat të mos kenë nevojë të ikin, por ta ndërtojnë jetën e tyre aty në vendin tonë.  E për këtë kemi përgjegjësi të gjithë bashkë.” Imzot Gjergj Meta u bëri thirrje  të gjithëve që gjatë “ditëve në vijim ta çoni mendjen tek Zoti për vendin tonë” të luteni, “që t’ua këthej mendjen atyre që kanë përgjegjësi për vendin tonë dhe të gjejnë rrugët e paqës dhe të dialogut, të cilat janë gjithmonë të mundshme në një demokraci, në një shoqëri normale”, përfundoi ai mesazhin e tij.

Ndërsa famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork, Dom Pjetër Popaj, duke iu referuar fjalëve të Imzot Gjergj Metës në lidhje me krizën aktuale politike në Shqipëri, nga ana e tij, nënvijoi se, “Në raste të tilla, duhet të theksojmë gjithmonë gjërat që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë.  Si komb nuk kemi qenë të ndarë kurrë, por fatkeqsia jonë”, shtoi ai, “kanë qenë gjithmonë ndasitë partiake dhe përpjekjet e të huajve për të na përçarë, ndërsa tashti janë partitë e ndryshme politike vendase.  Nuk është njëni më shqiptar se tjetri, të gjithë jemi vëllezër e motra dhe kemi një Zot në qiell, që na bashkon të gjithëve.  “Lusim Zotin që të gjithë të jenë të një mendimi e një zemre, për të mirën e përbashkët, për popullin tonë.  Lutemi që të gjithë mbrenda dhe jashtë Shqipërisë të jemi të bashkuar, pasi të gjithë jemi shqiptarë dhe njëkohësisht edhe bijtë e bijat e të Madhit Zot”, përfundoi Dom Pjetri.

Ishte në këtë frymë bashkpunimi — për të mirën e përbashkët dhe për të mirën e popullit tonë — që Imzot Gjergj Meta kishte dhënë mesazhin e fortë, kohë më parë, se, “Nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendur e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo.  Nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim, i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën”!

Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, javën që kaloi, përveç vizitës në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, Imzot Gjergj Meta, me 13 qershor, vizitoi gjithashtu edhe Qendrën Myslimane Shqiptare në Waterbury të shtetit Connecticut, ku sipas portalit të kësaj qendre ishin të ftuar të gjithë miqtë për një bashkbisedim të hapur me komunitetin shqiptaro-amerikan në atë shtet.

Kriza aktuale politike në Shqipëri, nuk është më një krizë që prek vetëm dy udhëheqsit e dy partive kryesore politike të vendit – pozitës dhe opozitës – por është një çështje që duhet të shqetësojë të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo që ndodhen, përfshirë edhe diasporën shqiptare në mbarë botën.  Kjo klasë politike – e cila sipas mjekut të njohur Tritan Kalo, i cili në postimin e tij në Facebook shprehet se, “po ndërmerr aktin e fundit të tradhtisë ndaj shqiptarëve, theqafjen në honet e historisë dhe në udhët e emigrimit masiv” — po tregon dita ditës se e ka humbur sensin e ARSYES.

Mjeku i nderuar i cilëson politikanët shqiptarë si të “paudhë” që për 30-vjet tani e sollën popullin vërdallë në udhëkryqin e tranzicionit.  Ai u bën thirrje shqiptarëve, “të ndezin dritat e mendjes e të mos i fikin ato të arsyes”.  Në këtë moment, Kombi ka nevojë për më shumë zëra të ARSYES si Imzot Gjergj Meta dhe Doktor Tritan Kalo: Ja postimi i plotë i Doktorit të nderuar:

“PPP-ja më e fundit në tregun e politikbërjes shqiptare, që uroj dhe shpresoj të jetë sa më jetëshkurtër…Përçarje – Përfolje – Përplasje…Kjo përçarje mes nesh, kjo përfolje e çdo fjale dhe veprimi tonë, kjo përplasje e pa principtë mes palëve politike dhe e pabuktë për ardhmërinë tonë, vetëm e vetëm Pa-përgjegjshmëri, Pangopësi dhe Pa-atdhetari mbetet të jetë, POR qytetari, drejtim dhe përgjegjësi morale-politike dhe sociale, KURRË nuk u është dhe kurrë nuk mundet të jetë…Na sollët vërdallë o të paudhë, për pothuajse 30 vite në udhëkryqin e tranzicionit demokratik dhe tanimë të tejngopur me pasuri, me zezona socio-ekonomiko-politike si dhe me keqbërje ndaj Atdheut e Kombit, po ndërmerrni aktin e fundit të tradhtisë ndaj nesh, THEQAFJEN tonë përfundimtare në honet e historisë dhe në udhët e pakthimit/të emigrimit masiv…MOS ndizni e fikni dritat e celularëve ju bashkëkombasit e mi, POR ndizni dritat e mendjes dhe mos i fikni ato të arsyes…Klasën/kastën/glasën politike e cila na rrëmbeu rreth 30 vite jetë e mundësi begatimi, do të vijojmë ta kemi të kalëruar mbi shpinat tona edhe më tej, NËSE do vijojmë t’u shkojmë nga pas si dele apo militantë trushplarë, si dhe pa dashuri e dhimbsuri për veten e familjet tona…..Quo vadis Shqipëria ime!!!…Ja një këshillë e urtë për këto kohë të pakohta nga Sir. Oliver Wendell Holmes: “Intuita e një çasti nganjëherë vlen sa përvoja e një jete”.

Një thirrje kjo plot me vend nga Doktori i nderuar. Fatkeqsisht, kam drojë se në mungesë të ARSYES nga ana e politikanëve dhe e mbështetësve të tyre fanatikë, për të gjetur një zgjidhje, para se të jetë tepër vonë, nga ky qorrsokak politik, e vetmja shpresë që na mbetet është që t’i drejtohemi të Madhit Zot për ndërhyrje, duke u lutur:

O Zot ky është vendi ynë, na ndihmo!/Gazeta dielli/

Please follow and like us: