Margarita Kola: Përtej asaj që thuhet dhe duket…
Ngërçi politik, por jo ligjor, ku na kanë futur politikanët është një situatë e cila duhet kuptuar përtej asaj që thuhet dhe duket.
Së pari, kjo gjendje ngërthen domosdoshmërinë për ndryshime në strukturën parlamentare. Një parlament me dy dhoma ku njëra prej tyre nuk kontrollohet kryekëput dhe ngushtësisht nga partitë “bajraktariste” do të ishte një parlament i cili do të vetërregullonte arrogancat mazhoritare të kartonave dhe do të rriste cilësinë e ligjbërjes duke qenë që njëra nga dhomat do të përbëhej nga individë elitarë/profesionistë në politikë.
Së dyti, një president i zgjedhur nga populli do të ishte më i pakontestueshëm politikisht në vendimarrjet e veta në funksion të të qënurit kryetar shteti dhe garantues i unitetit kombëtar. Presidenti do të ushtronte funksionet e veta kushtetuese pa pasur “frikë” nga kryeministra, qofshin këta edhe shumë “të fortë”.
Së treti, domosdoshmëria që Reforma e Drejtësisë të analizohet dhe pse jo të korrigjohen të metat, që nuk di të them kanë qenë të qëllimshme apo jo, ka trokitur në derë dhe duhet të përballemi me të dhe ne, dhe ndërkombëtarët që kanë investuar në këtë proces. Këto probleme që po shfaq Reforma në Drejtësi, pasqyruar më drejtpërdrejtë në mungesën e “ndjesë pastë” të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë duhet t’i vihet një emër dhe jo të përdoren politikisht nga të gjitha krahët. Këto gjykata janë pjesë e rëndësishme e garantimit të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe më shumë se kushdo tjetër është politika që do t’i “minojë” sepse ju trembet. Në këtë kuptim kushdo politikan që merr flamurin e “heroit” të reformës duhet të na bëj të mendojmë dy herë për të kuptuar se ky ngërç ku na kanë futur nuk do të ishte i tillë nëse pushteti i tretë do të ushtronte rolin e tij balancues dhe kontrollues.
Se katërti, Kodi ynë Zgjedhor duhet të ndryshohet jo me sugjerim dhe i modeluar nga ndërkombëtarët, por si një nevojë e jona për t’i dhënë fund cenimit të zgjedhjeve të lira nga ku fillon që të mbahet në këmbë gjithë ngrehina e demokracisë.
Kur them këtë kam parasysh që Kodi Zgjedhor duhet ndryshuar bazuar në shkaqet që kanë çuar në cenimin e ushtrimit të së drejtës për një votë të lirë dhe të fshehtë;
a) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk duhet të kompozohet nga anëtarë të partive politike por nga juristë dhe profesionistë pa anëtarësi politike. Nuk duhet të kemi “fobi” nga paradigma që duhet të zbatojmë gjithmonë formulat që kanë adoptuar të tjerët. Ne nuk jemi as gjerman dhe as anglez ku vetëndërgjegjja për ligjshmërinë dhe paanësinë është pjesë organike e kulturës sonë. Akoma jo!
b) listat e kandidatëve duhet të jenë të hapura dhe të konkurueshme dhe jo të emëruara nga kryetarët e partive. Për aq kohë sa do të jetë kështu kryetarët e partive do të na vendosin në “pjatë” ata më të “fortët”, më të “zotët” për të marrë votat që i duhen partisë së kryetarit…
c) Shqipëria, ka nevojë për një sistem mazhoritar dhe jo proporcional në mënyrë që mos t’i japim shansin politikës së papërgjegjshme që të na ndajë administrativisht si vathët e deleve sa herë që llogarit votat, por të kemi mundësi që të zgjedhim më të mirin në konkureshmërinë midis tyre;
d) kemi treguar mjaftueshëm në këto vite demokracie të brishtë që komisionerët partiakë janë shumë “pasionantë” në manipulimin e votës. Kodi ynë Zgjedhor duhet të sanksionoj pa partishmërinë e komisionerëve dhe numërimin elektronik. Të dyja janë sinjal sos në çdo proces zgjedhor.
Së pesti, zgjedhjet e fundit na sollën në vëmendje se sa i rëndësishëm është mosvotimi si një formë e shprehjes dhe ushtrimit të së drejtës së zgjedhjes. Në terma më të kuptueshëm nëse sovrani zgjedh në mënyrë masive të mos votojë atëhere ai ka vendosur që të mos të doj të përfaqësohet nga ata që ju janë “servirur” si zgjedhje. Në demokraci kjo është një çështje që duhet adresuar në ligjin themeltar që është kushtetuta. Pra kushtetuta jonë duhet të sanksionoj të “drejtën kolektive” që do të thotë që zgjedhjet duhet të jenë të vlefshme vetëm kur kanë votuar më shumë se 50% të votuesve. Kjo na jep mundësinë e një mekanizmi që të ndëshkojmë politikën e keqe edhe nëpërmjet mospjesëmarrjes në votime. Demokracive si e jona iu duhen sa më shumë mjete për të mbajtur në orbitën e ligjit politikën.
Për aq kohë sa “fasadën” na e shesin bukur dhe për aq kohë sa ne si popull na mungon eksperienca e të jetuarit në demokraci duhet të përpiqemi të kuptojmë përtej asaj që thuhet dhe duket.
Unë e bëra detyrën time. Bëjeni edhe ju si qytetarë të përgjegjshëm!