Albana Vrapi: Menaxhimi nga një femër, avantazh për biznesin
Pas 20 vitesh në biznes, sot ‘Albatrans’ kërkon cilësinë në shërbim dhe mundësinë për të investuar. Çfarë na thotë Albana Vrapi për planet e saj dhe të qenurit në një biznes si menaxhere e saj
E sheh si avantazh të qenurit femër në menaxhimin e një biznesi. Për Albanën tashmë ka ndryshuar koncepti në shoqëri për femrën dhe kjo ia bën punën më të lehtë. Duke folur për fillesat e saj në biznes, Albana e ka të qartë rrugën nëpër të cilën ka ecur, vështirësitë dhe ku ka mbërritur deri sot. Nuk të jep dot një përgjigje të saktë në është mirë apo jo që administron biznesin për bashkëshortin, por duke e parë veten të dy si aksionerë ja kanë dalë të jenë në treg të konsoliduar pas një eksperience 20 vjeçare. A mbyllet suksesi i saj këtu? A kërkon më shumë nga vetja? A është në gjendje të menaxhojë kohën për punën dhe për familjen? Sot po. Sot është e bindur që ka nevojë të shpenzojë kohë me vajzën, ka mbërritur të vendosë ca limite në kohën e saj dhe kërkon ta çojë me tej investimin e bërë. Ka një plan konkret për diversifikimin e investimit dhe do t’i japë një dimension të ri biznesit të saj, ose më saktë do ta shtrijë atë dhe në një linjë tjetër, atë humane, ngritjen e një qendre shëndetësore low cost. Po si e sheh Albana punën e saj, si e sheh sot transportin publik, çfarë ka mbërritur kompania e menaxhuar prej saj, e zbuloni në intervistën që realizuam me të.
Si është të bësh biznes sot dhe të jesh menaxhere femër?
Nisur nga eksperienca ime rreth 20 vjeçare, referuar vështirësive të viteve të para, kur shumë pak femra qëndronin në krye të bizneseve të tyre apo bizneseve familjare, mund të them që sot kemi një panoramë krejt tjetër. Femrat janë menaxhere të suksesshme, të vlerësuara nga shoqëria për aftësitë drejtuese, ndaj dhe ndihemi të motivuara në punën tonë.
Të ndihmon apo penalizon fakti që punon bashke me bashkëshortin në të njëjtën sipërmarrje?
Nuk kam një përgjigje të saktë për këtë pyetje. Në varësi të situatave kemi patur dakortësitë apo kundërshtitë mes nesh, por si dy aksionerë të kompanisë kemi dhënë më të mirën tonë për ecurinë e biznesit. Asnjëherë nuk jemi pozicionuar përballë njëri-tjetrit por, bashkë me stafin, kemi qenë një skuadër e suksesshme në përmbushjen e çdo qëllimi tonë për të arritur këtu ku jemi sot.
Krahasuar me fillesat e punës tënde në biznes sot je më e avantazhuar dhe ku është synimi i Albanës të mbërrijë në sipërmarrjen e saj?
Kur mendoj për fillesat në këtë biznes, kujtoj që kanë qenë të guximshme, në një treg pa rregulla dhe kaotik, pa plane biznesi e pa parashikime rreth pritshmërive që do të na sillte ky investim, por mjaftoheshim me dëshirën e madhe për të bërë diçka ndryshe në fushën e transportit. Nga një biznes, në fillimet e veta me investime minimaliste, sot kompania Albatrans ka investuar rreth 6 milionë Euro në mjete të transportit publik dhe infrastrukturë ndihmëse në funksion të këtij shërbimi, duke na bërë kështu partnerë të besueshëm të kompanise IVECO, për të cilën prej 7 vitesh kemi të drejtën e përfaqësimit në tregun rajonal (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni). Synimet janë të qarta, rritje e standardit në shërbim, me qëllim përmirësimin e ndjeshëm në funksion të qytetarëve.
“Albatrans” është një kompani tashmë e afirmuar në tregun e transporteve. Cilat janë pritshmëritë e kompanisë tuaj dhe vështirësitë që hasni?
Rrugëtimi i gjatë në këtë biznes është shoqëruar me problematika të ndryshme.
Tregu i paqëndrueshëm me rritje të herëpashershme të çmimit të karburantit, rritje e cila nuk reflektohet në çmimin e biletës, përbën vështirësinë kryesore në aktivitet, ku blerja e karburantit zë 50% të shpenzimeve të kompanisë, ndërkohë e drejta e kreditimit të TVSH shkon deri në masën 43% të qarkullimit.
Referuar ligjit dhe kontratës së shërbimit me Bashkinë e Tiranës është detyrim kontraktual transporti falas i personave me aftësi të kufizuar, gjë të cilën e kemi pranuar pa hezitim. Ndërkohë ndodhemi përpara fakteve ku shoqata të ndryshme të invalidëve, në mënyrë abuzive, pajisin qytetarë me karta invaliditeti. Kjo situatë ka sjellë efekt negativ, ku rreth 20% e pasagjerëve udhëton me karta falso.
Nuk është gjithmonë e lehtë të menaxhosh e të drejtosh një kompani me 320 punonjës me lëvizje të shpeshta të stafit, sidomos shoferë dhe fatorino, ku herë pas here hasim vështirësi në rekrutimin e punonjësve të rinj.
Paçka vështirësive, kompania menaxhon në përditshmërinë e saj një punë voluminoze, 24 orëshe, më qëllimin kryesor – ofrimin e një shërbimi sa më efikas përkundrejt qytetarëve.
A do kemi një transport të duhur dhe nëse po, si mund të arrihet kjo?
Gjithë puna jonë e këtyre viteve ka vetëm një qëllim: rritjen e cilësisë së shërbimit në transportin publik. Për të realizuar këtë synim duhet një bashkëveprim mes operatorëve në këtë treg dhe Bashkisë së Tiranës. Mendoj që bashkimi i kompanive private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në transportin publik, në një shoqëri aksionere ku pjesë e saj të jetë edhe Bashkia e Tiranës, do të sillte një përmirësim të ndjeshëm të këtij shërbimi që sot has një sërë problematikash, si mungesa e korsive të dedikuara transportit publik që ngadalëson shpejtësinë e lëvizjes, mungesa e biletës elektronike (shmang abuzimin nga ana e fatorinove), mungesa e autoritetit të kontrollit (si për fatorinot dhe për qytetarët që nuk pajisen me biletë). Vetëm duke qenë të gjithë bashkë dhe të punojmë për të njëjtin qëllim do arrijmë të kemi një transport publik në standardet e dëshiruara.
Kush është “ALBA TRANS”?
Shoqëria “Alba Trans” sh.p.k. është krijuar në vitin 2003. Me kohëzgjatje mbi 10 vjet dhe me objekt veprimtarie: “Transport udhëtarësh urban, ndër-urban dhe inter-urban. Agjenci transporti dhe udhëtarësh, import, eksport dhe tregtim me shumicë dhe pakicë të automjeteve të transportit për mallra dhe udhëtarëve të të gjitha llojeve e tonazheve, të pjesëve të këmbimit për automjete transporti dhe udhëtarësh, lavazh për automjetet, qendër servisi, etj”. Në këtë shoqëri janë të punësuar e siguruaar 300 punonjës, të cilët bëjnë përpjekje të vazhdueshme për zbatimin cilësor të ligjit duke zhvilluar aftësitë intelektuale dhe profesionale. Objektivi i kompanisë është “Siguri, komoditet, shpejtësi dhe nivel i lartë shërbimi”. Organizimi dhe struktura e shoqërisë është e ndërtuar në mënyrë të tillë që të jetë funksionale dhe t’i përgjigjet me një nivel të lartë profesional detyrimeve ligjore që ka shoqëria “Alba Trans” ndaj udhëtarëve në linjat e brendshme të shërbimit qytetas dhe atyre ndërkombëtar ku ajo operon./Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë?