Video/Rama me pantallona treçerekëshe dhe Linda me kapele votojnë të lumtur te shkolla “Ymer Lala” në Surrel
Kryeministri Edi Rama së bashku me bashkëshorten Linda, kanë votuar në qendrën e votimit në shkollën “Ymer Lala” në Surrel. Por, ajo që ka tërhequr vëmendjen ka qenë veshja e kryeministrit dhe bashkëshortes së tij.
Kreu i qeverisë, i cili njihet për stilin e tij të vecantë, sot kishte zgjedhur pantallona treçerekëshe, kombinuar me xhaketë blu të errët e këmishë të bardhë. Por, nuk mbetej pas edhe bashkëshortja znj.Linda, e cila kishte zgjedhur një xhaketë të bardhë dhe pantallona blu, të kombinuar me një kapele të zezë. Pasi votuan, kryeministri Rama u shpreh se sot është një ditë e rëndësishme dhe se në Shqipëri po ndodh dicka historike.
“Sot është shumë herë më e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do t’i japë të gjithëve se sa vota për njërin apo për tjetrin që është e fshehtë. Unë besoj se kjo ditë konfirmon se me popullin nuk luhet, sovraniteti i popullit nuk është fjalë boshe dhe kush tenton t’i marrë popullit sovranitet nuk ka asnjë fund tjetër përveç fundit me dështim dhe me turp. Sot është e rëndësishme që çdo qytetar në këtë vend të votojë ose mos votojë por të respektojë të drejtën e kujtdo për të votuar ose mosvotuar. Historia solli që këto zgjedhje janë zgjedhje për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë. Jam i bindur se sot në Shqipëri po ndodh diçka historike. Është një mësim që nuk do të harrohet kurrë nga asnjë parti politike”./gsh.al/