Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: NË MË TË FUNDIT…

Image result for emil asdurian

NË MË TË FUNDIT…
(Heisenberg I)

Në më të fundit nuk ka rëndësi me kë krahasohet,
në një hapësirë tejet të vogël, ku
tiparet s’janë më të matshme dhe veprimi s’përhapet
në vazhdimësi, ku ndërprerja është e vetmja veçori e dukshme,
se me vegël a çfarë, e padallueshme, megjithatë,
e gjithë ende s’dihet, oh, se për ta ndierë, thellë,
mendimi duhet atje të ngjitet a të zbresë,
asnjë përmasë e njohur s’do të jetë, as e njëtrajtshme,
jo, e njëkohshme, pjesëz e dhënë a fushë,
përtej afërsisë së skajme dhe largësive pafundësisht të mëdha
e pashquar nga secila shqisë, dhe as me njësi e matur,
kur çastin e përcaktuar duhet të flijojë dhe vendin që zë
në hapësirë, lëvizjen në shtegun e njohur për askund,
në thelb, vegim a dëshirë, bindjen se gjithësinë
mban mbi supe në errësirën e së panjohurës pambarim,
pa radhë, lart a poshtë, në a mbi, drejt a rreth,
përgjithmonë,
dhe asnjëherë, nënthërrmijë a valë në eter, fillimi pa fund,
tërheq-shtytje, lënde pajetë a qenie e gjallë, pulson e rreh
matricë mendimi nga çdo kah në shumë e njejtë,
veç vërtet e mrekullueshme se ndodhi, u bë, erdh
të rend e në dyjëzim të humbë e ndryshme.

ΔxΔp≥–h⁄2

Në më të fundit nuk ka rëndësi me kë krahasohet,
në hapsirën tejet e vogël, ku s’dihet se ku,
se pikërisht aty në më të pasigurtën e vërtetë,
befas shpërtheu të jetë… dhe pas çdo tjetër…

(a nuk lind dashuria në më të pasigurtën ndjesi?)

Please follow and like us: