Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Hap kutitë, ose largohu!

 



Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, i vënë në këtë post pas marrëveshjes okulte Rama-Basha, mesnatën e 18 majit 2017 për bashkëqeverisje PS-PD, por i lënë në minorancë pasi PS-ja ka katër anëtarë, propozoi një ditë më parë hetim administrativ të votimeve të 30 qershorit dhe hapjen e kutive të votimit. Por socialistët ia rrëzuan me alibinë se “Ky propozim është hedhje në erë e të gjithë procesit zgjedhor”, edhe pse të dielën e kaluar vetëm proces zgjedhor nuk pati.
Në aspektin administrativ, kërkesa e Zgurit është e drejtë dhe mjaft minimaliste. Siç argumentoi ai, i gjithë procesi u vëzhgua vetëm nga 4 komisionerë të PS-së dhe të gjithë duhet të jenë mosbesues. Është minimalist sepse transparenca e kutive duhet të garantohet në çdo rast kur ka dyshime të arsyeshme dhe pretendime nga palët e interesuara. Kjo duhet të zgjidhet me ligj një herë e përgjithmonë. Është minimaliste edhe sepse kërkohen vetëm procesverbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe listat, ku tregohet qartësisht se kush dhe sa persona kanë votuar.
Shumica në KQZ u shpreh se mish-mashi i shifrave që rriteshin orë pas ore ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2017, për shkak se u bënë publike informacione paraprake dhe jo të zyrtarizuara.
Politikisht kërkesa e kryetarit të KQZ-së është korrekte dhe për ironi të faktit, shkon me betejën e dikurshme të shumicës në pushtet, që çoi te greva e urisë dhe pajtimi me “Darkën e Krokodilit’.
Po kthehem gati një dekadë më pas.
Më 3 dhjetor 2009, kur PS-ja e Ramës ishte në opozitë, ai do të deklaronte, duke iu referuar Berishës, atëherë kryeministër: ‘Kuptoi më në fund se e vërteta e kutive të 28 qershorit nuk mund të asgjësohej më bashkë me kutitë dhe se opozita ka vendosur të sakrifikojë deri në fund, për t’i dhënë fund traditës së mbrapshtë të sakrifikimit të lirisë e ndershmërisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Nga njeriu që mori peng kutitë për të fshehur vjedhjen e madhe të zgjedhjeve, Sali Berisha u ndje i gjithi peng i kutive që mban forcërisht mbyllur. Me sa duket edhe tentativat e bëra tinëz për të rregulluar kërdinë e kyçur në kuti deri këtu kanë dështuar’.

Rama e akuzoi Saliun se: ‘Harroi mësimin e vyer të vitit 1996, kur me prekjen e votës së popullit filloi në fakt fundi i sundimit të Saliut të Parë’, se ‘Tanimë për opozitën kutitë nuk janë i vetmi objektiv’ se ‘Hap kutitë ose largohu’-, kjo do të jetë kryefjala e protestës sonë’.

‘Hap kutitë ose ik. Deri në fund. Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran’-e mbyllte fjalën e tij, në emër të votës së lirë dhe të paprekshme të Sovranit, ish-kryetari i opozitës së atëhershme dhe kryeministri i sotëm, prej gati 6 vitesh.
Ai kishte plotësisht të drejtë në këtë kërkesë, sa ç’mund të ketë kreu i KQZ-së sotme dhe çdo shqiptar i pablerë prej qeverisë së tij, në të drejtën për të zbardhur farsën e votimeve të 30 qershorit, ku Rilindja ishte vetë organizatore, vetë votuese, vetë numëruese dhe vetë certifikuese.
Jam i bindur se Rama, siç ia kaloi Saliut në vjedhje, korrupsion, trafiqe, lidhje me krimin e organizuar, koncesione dhe marrëveshje antikombëtare, e la shumë mbrapa edhe në vjedhjen e hapur e të fshehtë të zgjedhjeve, jo vetëm më 30 qershor 2019, por edhe në vitin 2015, edhe në Dibër më 2016, edhe në 2017-ën.
Nuk ka shqiptar që nuk e di këtë, përveç trutharëve, të verbërve e skllevërve, përveç të blerëve nga qeveria me një rrogë administrate, me ndere e favore dhe me paratë e buxhetit. Në votimet e 30 qershorit morën pjesë deri në orën 18.00 të të dielës, sipas KQZ-së, rreth 670 mijë nga të cilët rreth 95 mijë vota ishin të pavlefshme. Në ditët që pasuan shtuan edhe 140 mijë votues.
Rama dhe Rilindja e tij e ka mbyllur në kuti këtë maskaradë dhe bashkë me materialet zgjedhore do t’i djegin në shtratin e lumit Erzen, siç ka mbyllur gjithë ndyrësirat që ka bërë këto 6 vite me Sovranin.
Partia ‘Zgjidhja’ i kujton sot thirrjen që ai ia bëri Saliut, një dekadë më parë: ‘Hap kutitë ose ik. Deri në fund. Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran’.
Rama bashkë me Saliun, janë pengmarrësit e Sovranit, të së sotmes dhe të së ardhmes së tij.

Please follow and like us: