Albspirit

Media/News/Publishing

Orjola Pampuri: Gruaja, vlera e së cilës fatkeqësisht, matet me humorin e një burracaku…

 

Fotografia e Orjola Pampuri

Gruaja; nënë, bashkëshorte, bijë, motër, amvisë, profesioniste…

Sa shumë gjëra brenda një qënieje hyjnore, sa shumë role duhet të luajë brenda një dite, e kushedi sa e lodhur vë kokën në jastëk në mbrëmje.

Sa lavde janë thurur për një çift që kishte një vajzë, dy apo më shumë, e sa psherëtima ka patur kur lindte një vajzë, deri dhe mite të tipit; “kur lind një vajzë, qajnë dhe trarët e shtëpisë”, e tmerrshme… Me këtë mendësi u rritën shumë djem që sot janë burra, e gruan e shohin si një objekt riprodhimi, punë e shërbimi, dhe në qoftë se kjo qënie del jashtë kësaj kornize goditet fizikisht e psikologjikisht sikur të mos e kish lindur dhe atë një nënë, sikur të mos ishte dhe ajo bijë e një nëne sikurse dhe ai vetë.

Një realitet që duhet të ç’rrënjoset një herë e përgjithnjë nga shoqëria jonë, një realitet që duhet të përmbyset nga brezat e rinj. Modeli i nënës e babait tek fëmijët, edukata në shkollë mbi respektin për nënën, gruan, shoqen, motrën dhe rolin e saj të rëndësishëm në familje e shoqëri, është brezi i ri, ai që premton shpresë për të ardhmen. Forcimi dhe zbatimi real i ligjit në të gjitha hallkat e tij, dhe dënim maksimal për bashkëshortet dhunues dhe vrasës.

Mjaft më me sjellje të tilla, mjaft dhunuat gratë ju burra pa burrëri. Nëse ju tremb hapi i një gruaje, ktheni kokën nga vetja dhe komplekset e inferioritetit që ju kanë kapluar.

Shqipëria me ligje, por që askush nuk i zbaton, se s’ka kush i kontrollon. Vitet e fundit numri i grave të dhunuara e të vrara nën urdhër mbrojtjeje është rritur.

Shqipëria pa drejtësi dhe një shoqëri në anarshi e kaos.

Asnjë hap pas.

Për një Shqipëri ku krimineli e dhunuesi të jetë para drejtësisë, për një Shqipëri si Europa.

Please follow and like us: