Albspirit

Media/News/Publishing

Kadri Veseli: Zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme

Image result for ramush haradinaj

 Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e quajti vendim personal atë të ish kryeministrit Ramush Haradinaj për dorëheqje. Në një konferencë për media, Veseli tha se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme dhe se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje. “Vendimi i ish-kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar, pavarësisht se për këtë nuk pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake. Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK është e gatshme për zgjedhje kurdo që të caktohen ato. Ajo që mund të diskutohet është vetëm koha kur duhet të mbahen”, tha Veseli, citon Radio Evropa e Lirë. Kreu i PDK-së tha se lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve duhet të ketë konsultime mes partive politike. “Për këtë besoj se do të kemi konsulta dhe me partnerët e tjerë të koalicionit të deritanishëm dhe partitë e tjera politike, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet që kemi në fuqi”, tha Veseli. Veseli foli edhe për ftesat fundit nga Gjykata Speciale. Ai tha se ato janë dhe mund të vinë, por siç u shpreh ai, nuk duhet të lejohet të shkaktohet asnjë huti apo pasiguri të qytetarët. “Besimi ynë në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i palëkundur për aq sa edhe bindja jonë se ushtarët e lirisë do të dalin faqebardhe edhe në fund të kësaj sfide”, tha Veseli. Veseli në konferencën e thirrur për media nuk ka pranuar pyetje nga gazetarët. Ramush Haradinaj më 19 korrik njoftoi për dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit, pasi tha se ka marrë ftesë për t’u intervistuar në Hagë. Ai tha se është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për krime lufte në Hagë, ku siç thuhet mund të paraqitet javën që vjen. Haradinaj në konference e tij pas dorëheqjes, theksoi se nuk mund të lejonte që të në Dhomat e Posaçme të paraqitej si kryeministrit dhe për këtë arsye ka dhënë dorëheqje.

Please follow and like us: