Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Përcjellje ëndrrash

Fotografia e Ibrahim Vasjari

Diku në ag, me terr ende pa tretur,
Nata në ikje shkundi gjithë ç’kish.
Një thes me ëndrra, grykëlidhur, mekur,
Ku ndihej gulç e spazma mushkërish:

‘’Pak frymë, pak frymë, pak frymë, o shok, o vlla!’’
Po bota hesht.
As kopshti frymë s’ka.

Lindur me flatra për qiej të lirë,
Djepegremisur pabesisht në morg.
Zbrazur në shpirt e fryrë me delir
Nga mjekë-sozi që injektojnë drogë.

Në gjysmëterr,
Si në emfazë detarësh,
Me thirrjen ‘’tokë… tokë!’’ zbritën në breg.
Të ishin mbytur në tallaze valësh,
Kaq shumë në zemër s’do t’i kishim peng.

Të kishin vdekur që Natën e djeshme,
Pa vaj këmbanash, psalme priftërinjsh.
Më mirë në atë kopsht të zverdhur vjeshte,
Ku gjethe e lule vdisnin qetësisht.

Ç’u duhej meshë e psalme priftërinjsh!

Po ç’them kështu?! Ti vet, i madhi Zot,
I ngjall nga hiri e i lind sërish.
Pa djepe ëndrrash si do ish kjo botë?!

Please follow and like us: