Irma Kurti: Njoha vetëm një stinë
Unë jetova një dimër dashurie,
me shira, dëborë e ngricë.
Nuk e kuptoja se në këtë botë,
kish dhe pranverë e lumturi.
Njoha vetëm qiellin e vrenjtur,
nuk dija se ç’bëhej rreth meje.
Ndjeja të ftohtë, të dridhura
dhe zbrazëtirë thellë në zemër.
Ky dimër i egër, i stërzgjatur,
më ndryshoi në tjetër njeri.
I harrova gjithë stinët e tjera,
dhe veten e quaja pa shpëtim.
Më duhej, më duhej pak zjarr,
të ngrohesha në dimrin-ngricë,
por ti dot nuk ma dhe,
s’më the dot as: “Lamtumirë”!
Njoha vetëm një stinë…
Nga libri me poezi: “Shihemi në një tjetër botë”, 2002.
Please follow and like us: