Drançolli publikon një letër të rrallë, të nënshkruar nga Skënderbeu
Historiani i shquar shqiptar, prof. Dr. Jahja Drançolli, e ka publikuar një letër të rrallë, të vjetër 568 vjet, të firmosur nga vetë dora e Gjergje Kastriotit – Skënderbeut.
Drançolli, në një postim në Facebook, ka dhënë edhe shpjegime për letrën të cilën Skënderbeu ia dërgonte Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali.
Postimi i plotë:
568 vjet më parë (8 gusht 1451): Letër e rrallë autografe e Skënderbeut dërguar Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali…!
Letra autografe në fjalë është e njohur për njërën ndër 10 letra autografe (të nënshkruara) nga vetë dora e Skënderbeut, që ruhën në arkiva të njohura të botës (Romë, Venedik, Milano, Napoli, Paris, Dubrovnik, Zagreb dhe Beograd). Kjo letër autografe e shkruar sipas shkrimit humanistik të kohës në latinisht dhe italisht, është një fragment i shkurtër i shkëputur nga një histori madhore.
Ky dokument i çmueshëm i dërguar nga Lazri, abat i Arbrit, është shkruar në një kartë të rëndomtë bombagine të kohës, dhe siç shihet nga faksimili, në të dy anët e fletës (folio) ruhën shënjat e vulës (sigillum) të Skënderbeut, që mban datën, 8 gusht 1451, ndërsa Bujarisë së Republikës së Sienës u kishte ra në duar më 13 shtator 1451…!
Burimi: Archivio di Stato di Siena.